Austri, 71 trupa në kamionin “e vdekjes”. Hetohet për vrasje, e jo asfiksim

28/08/2015 00:00

Konfirmimi vjen nga autoritetet austriake. Në kamionin “e vdekjes”, të braktisur në një autostradë të vendit, jo shumë larg kufirit me Hungarinë, kishte 71 trupa të pajetë, që të gjithë – sipas gjasave, – emigrantë sirianë.

Fillimisht u mendua se mjeti mbante 20 deri në 50 viktima, por pas verifikimeve numri i fatkeqëve rezultoi edhe më i lartë se kaq. 59 prej tyre ishin meshkuj, 8 gra dhe 4 janë fëmijë.

Trupat në proces dekompozimi u zbuluan të enjten, pasi policia dërgoi disa efektivë të kontrollonin kamionin e ndaluar në anë të autostradës A4, që çon për në Vjenë.

Ekipet mjekoligjore kanë punuar përgjatë gjithë natës për të ekzaminuar kufomat, por ndërsa nuk ka ende të dhëna mbi shkaqet e vdekjeve, zyrtarët austriakë janë duke e trajtuar ngjarjen e rëndë si “vrasje”.

Përpjekjet e forcave të rendit janë përqëndruar aktualisht te kapja e shoferit, e për këtë qëllim, policia austriake po bashkëpunon me atë hungareze. 7 persona u arrestuan pas zbulimit të tmerrshëm, 4 nga të cilët u lanë sërish të lirë, por mbeten nën vëzhgimin e policisë.

3 të ndaluarit që mbetën në paraburgim thuhet të jenë shtetas bullgarë. Kamioni mban logon e një kompanie sllovake shpezësh, Hyza, e cila pretendon se prej kohësh nuk e ka më në zotërim mjetin në fjalë, ndërsa blerësit duket se nuk e kanë hequr markën e saj.

Sipas Hans Peter Doskozil, shefi i policisë së provincës Burgenland, ku u zbulua kamioni, mjeti ishte i tipit frigoriferik e kjo nuk është zgjedhja tipike e trafikantëve për transportin e refugjatëve.

Kamioni me targë hungareze mësohet të ketë lënë Budapestin mëngjesin e së mërkurës. Me dhjetëra emigrantë të larguar nga vende të përfshira prej konflikteve, në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, janë përpjekur të hyjnë në Europë këto muajt e fundit.

Një pjesë e tyre u paguajnë shuma të majme parash trafikantëve, që t’i kalojnë në kontinentin e vjetër ilegalisht. Në samitin e zhvilluar me udhëheqësit e Ballkanit në Vjenë, Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh thellësisht e tronditur nga gjetja e kamionit me trupat e pajetë, të cilin e cilësoi “një lajm të tmerrshëm”.

Ky është paralajmërim për ne, që ta zgjidhim sa më shpejt ngërçin e emigrantëve në frymën europiane, që do të thotë një frymë solidariteti, u shpreh ajo.

Top Channel