Është ndarë nga jeta në moshën 95-vjeçare, akadamiku i njohur i Kosovës, Mark Krasniqi. Krasniqi u shua pak pas mesnatës në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës, ku ndodhej i shtruar prej kohësh.

Ai shquhet për kontributin e dhënë në publicistikën shqiptare me më shumë se 35 libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollore, si dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezishë nga serbo-kroatishtja, sllovenishtja e maqedonishtja në gjuhën shqipe.

Akademik Krasniqi u lindi në Shëngjon të Pejës më 19 tetor të 1920. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, kurse më 1941 gjimnazin në Prizren. Prej vitit 1941-1943 ka studiuar letërsinë në Universitetin e Padovës (Itali), e prej 1946-1950 ka studiuar gjeografinë e etnografinë në Universitetin e Beogradit.

Më 1945-1946 ka qenë gazetar-redaktor i gazetës Rilindja në Prizren, bashkë me Esad Mekulin e Omer Çerkezin, kurse prej vitit 1947-l949 ka punuar në Radio-Beograd (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe) gazetar-redaktor.

Prej 1950-1961 ka punuar në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd si asistent, pastaj bashkëpunëtor shkencor. Është diplomuar më 1950 në Beograd, kurse më 1960 ka marrë doktoraturën në Universitetin e Ljubjanës në Slloveni.

Prej 1961-1981 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, kur pushteti antishqiptar e përjashtoi nga procesi mësimor. Ka qenë disa herë prodekan e dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik. Ka qenë nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës dhe anëtar i Kuvendit të Kosovës.

Top Channel