Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të akademik, Mark Krasniqit.

“Në këto momente të vështira për familjen dhe të gjithë shqiptarët, shpreh ndjenjën më të fortë të solidaritetit dhe mirënjohjes për veprën e shquar të Mark Krasniqit, këtij kolosi të mendimit, humanizmit dhe patriotizmit. Vepra e tij do të mbetet një udhërrëfyes për brezat, si shembulli më i lartë i përkushtimit. I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e Mark Krasniqit”, shkruan kreu i Kuvendit, Ilir Metra.

“Jam i bindur se hidhërimi sot është mbarëkombëtar, sikundër ishte mbarëkombëtar respekti dhe vlerësimi për akademik Mark Krasniqin. Me largimin e tij nga kjo jetë, familja humbi njeriun e dashur, shqiptarët humbën një patriot të madh, intelektual të dimensioneve globale, një politikan të urtë e të mençur dhe plot vizion. Lutem që Zoti t’i japë paqen e përjetshme Mark Krasniqit, dhe familjes e miqve të tij forcën të mbajë peshën e dhimbjes”, thotë në mesazhin ngushëllues, kryetari i opozitës, Lulzim Basha.

Ndërsa ish-kryeministri, Sali Berisha, përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se kombi shqiptar humbi një njeri të madh. 

Top Channel