“Policë të korruptuar garantë të drogës”, përgjimet e trafikantëve gjatë asgjësimit të kanabisit në Vlorë

28/08/2015 00:00

“Kush ka shkuar në Ramicë për ta bërë atë punë”. Kjo është një nga pyetjet që i dyshuari si kreu i organizatës kriminale Sokol Burhanaj i ka bërë në telefon zyrtarit të policisë së Vlorës, Vladimir Zanaj, me detyrë shef sektori i personelit.

Biseda në fakt nuk po zhvillohet për asnjë çështje pune tjetër përveçse për aferra droge, pasi më 19 korrik efektivët po zhvillonin një operacion antidrogë në fshatin Ramicë dhe në vendin Përroi i Burhames janë asgjësuar tre parcela me 387 bimë narkotike.

Sapo policia ka mbërritur në parcelat e konsideruara si pronë e grupit kriminal, i dyshuari Neko Bruhamaj, i cili është banor në Ramicë, ka telefonuar të vëllain, Fatosin dhe ky i fundit ka njoftuar menjëherë Sokol Lamajn me mbiemrin e ndryshuar në Burhamaj duke i kërkuar që të lidheshin me njerëzit që njihnin e kishin folur në polici që të largonin efektivët prej andej.

Përgjimet telefonike tregojnë se zyrtari i policisë Zanaj në këtë bisedë merr përsipër që do të bisedojë për këtë çështje pasi ka një tjetër në polici që ka shkuar atje. Lidhur me këtë bisedë, dyshon prokuoria, është lëshuar urdhër ndalimi i menjëhershëm për Vladimir Zanajn për shpërdorim detyre, ndërkohë që pas vlerësimit të provave do të jepet një përgjigje se cilët janë njerëzit e tjerë në policinë e Vlorës që kishin ofruar garancitë për ruajtjen e parcelave me hashash. Gjatë masës së sigurisë që u shpall arrest me burg, efektivi Zanaj ka deklaruar se pret që të flasë drejtësia, pasi ai është i paimplikuar. Të njëjtën gjë përsëriti edhe avokati.

“Në vitin 2006 është liruar për shkak të reformës dhe në vitin 2013 ka rifilluar punën në komisariatin e policisë. Absolutisht dhe përgjimet e sjella në vëmendjen e gjykatës nga organi i akuzës në seancën gjyqësore, nuk bënin fjalë aspak për implikimin e këtij shtetasi në këtë ngjarje. Vetëm një sekuencë e vogël që ishte e transkriptuar dhe që bënte për një bisedë në të cilën nuk kishte lidhje me veprën penale”, tha

Megjithatë, jo zyrtarisht prokuroria e Krimeve të Rënda dyshon se organizata kriminale për të kryer aktivitetin e saj shfrytëzonte lidhjet dhe njohjet me policinë e Vlorës , ndonëse nuk thuhen emra të tjerë të dyshuarish. Nën arrest me burg për trafikimin me avion të 120 kg marijuanë drejt Italisë u lanë edhe pesë të arrestuarit e tjerë në Shqipëri.

Top Channel