Shuhet i mbijetuari i fundit i “arratisjes së madhe”

28/08/2015 00:00

Një prej të mbijetuarve të fundit të arratisjes më të famshme nga burgjet e Luftës së Dytë Botërore, njohur ndryshe si “arratisja e madhe”, ka ndërruar jetë në moshën 101-vjeçare.

Australiani Paul Royle ka qenë një prej 76 pilotëve të forcave ajrore, që mundën të arratiseshin nga kampi fatkeq nazist i “Stalag Luft III”, i ndodhur në Poloninë e pushtuar prej nazistëve në vitin 1944.

Hapat kurajoze të tyre u përjetësuan në filmin e vitit 1963, “Arratisja e Madhe”, ku luante si aktor edhe Steve McQueen.

Royle ndërroi jetë në spitalin e Perthit ditën e dielë, pas një operacioni për një frakturë të pësuar në legen, bënë të ditur mediat lokale gjatë kësaj të premteje.

Djali i tij, Gordon Royle i tha një medieje australiane se babai i tij kishte jetuar në maksimum, por kjo rënie edhe prej moshës e bëri atë që të humbte jetën. Një shërbesë përkujtimore për të do të mbahet në Perth ditën e mërkurë të javës së ardhshme.

71 vite më parë, Royle u arratis përmes një tuneli sekret të ndërtuar për t’i shpëtuar kampit nazist. I marrë në intervistë gjatë vitit të kaluar mbi eksperiencën e tij gjatë luftës, Royle tha se kishte ende kujtime të pavdekshme nga arratisja përmes një pylli të mbuluar tërësisht nga dëbora.

Vetëm 3 nga personat e arratisur mundën t’ia dilnin me sukses këtij misioni, pasi 73 të tjerët u kapën, prej të cilëve 50 u ekzekutuan.

Top Channel