PD, Teliti: Qeveria po fsheh të dhënat zyrtare për financat e korrikut

28/08/2015 00:00

Partia Demokratike akuzoi qeverinë se po fsheh të dhënat zyrtare për financat e muajit korrik, të cilat sipas opozitës duhet të ishin publikuar një javë më parë. Ekspertët demokratë thonë se gjithçka ka të bëjë me vazhdimin e rënies drastike të të ardhurave.

“Informacionet paraprake tregojnë se muaji korrik është sërish një gërshetim i dështimit me korrupsion dhe të ardhurat nga doganat dhe tatimet janë shumë më poshtë se sa plani. Mungesa e transparencës në këtë drejtim, është thjesht thellim i abuzimit dhe mbulim i hajdutërisë masive në tatime e dogana. Partia Demokratike e denonon me forcë këtë mungesë transparence, këtë përpjekje të dëshpëruar për të mbuluar korrupsionin dhe dështimin”, tha Dorian Teliti, PD.

Parlamenti do të diskutojë në shtator aktin normativ që shkurton buxhetin me rreth 130 milionë dollarë dhe që sipas opozitës janë para publike të gllabëruara nga korrupsioni. Partia Demokratike thotë se vendit i duhet një qeveri e ndershme.

“Partia Demokratike ka një plan për shpëtimin e vendit, që konsiston në uljen e taksave, barazinë para ligjit, luftën ndaj korrupsionit dhe transparencën e plotë të financave të vendit”, tha ai.

Top Channel