Europa League, Skënderbeu njeh kundërshtarët në grupin H

28/08/2015 00:00

Skënderbeu ka mësuar këtë të premte edhe rivalët e tij në fazën e grupeve të Europa League, në këtë hap të jashtëzakonshëm dhe rekord deri më sot në futbollin shqiptar.

Në shortin e hedhur mesditën e së premtes, në Monako, fati dhe goglat e kanë vendosur ekipin korçar, 5 herë kampion të Shqipërisë, në grupin H, së bashku me portugezët e Sportingut të Lisbonës, me turqit e Beshiktashit, si dhe rusët e Lokomotivës së Moskës.

Ndeshjet për javën e parë të fazës së grupeve do të zhvillohen më 17 shtator, ndërsa nga java e dytë e deri në të gjashtën, takimet do të luhen respektivisht më 1 dhe 22 tetor, 5 dhe 26 nëntor dhe 10 dhjetor.

Skënderbeu siguroi pjesëmarrjen në grupet e Europa League pas eliminimit nga faza e “play-off”-eve të Champions League, ku u mposht në të dyja takimet me kroatët e Dinamos së Zagrebit, 2-1 në “Elbasan Arena” dhe 4-1 në Zagreb.

Skënderbeu është një nga 6 klubet debutuese në këtë fazë të Europa League, ku marrin pjesë 48 ekipe në total, 22 prej të cilave fituese të fazës “play off”, 10 që vijnë nga Champion League dhe 16 të tjerat pjesëmarrëse të drejtpërdrejta.

Finalja e Europa League, më 18 maj, për herë të parë do të zhvillohet në Zvicër, në stadiumin e Bazelit “St Jacobs Park”. Europa League është një aktivitet ekskluziv i paketës “Supersport” të platformës “Digitalb”, nga ku mund të ndiqni ecurinë e kampionëve të Shqipërisë, Skënderbeut, drejt historisë europiane të futbollit shqiptar për klube.

Top Channel