Lirimi i hapësirave publike, Bashkia e Tiranës: Askush nuk do të tolerohet

28/08/2015 00:00

Bashkia e Tiranës vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike në njësinë administrative numër 5. INUV dhe Policia Bashkiake, që po zhvillojnë këtë aksion, kanë ndëshkuar me gjobë deri më tani 173 subjekte.

“Bashkia e Tiranës është e vendosur të vazhdojë dhe ta përfundojë këtë aksion me qëllim që t’u kthejmë qytetarëve të gjitha hapësirat publike, apo ato hapësira që janë zënë në mënyrë të paligjshme. Policia Bashkiake dhe Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit kanë vendosur 173 gjoba për të gjitha bizneset dhe individët që kanë pushtuar hapësirat duke vendosur vazo lulesh apo duke ngritur godina të tjera të paligjshme”, deklaroi nënkryetarja e Bashkisë, Brunilda Paskali.

Nënkryetarja Paskali u kërkon të gjitha subjekteve të marrin masat për lirimin vullnetar të hapësirave që kanë zënë pasi nuk do të tolerohet asnjë prej tyre.

Ndërkohë, janë planifikuar për t’u prishur 23 subjekte që kanë bërë ndërtim të paligjshëm në funksion të biznesit të tyre.

Top Channel