Sistemimi i tregjeve, Veliaj: Vende dhe ditë të përcaktuara për prodhimet bujqësore

28/08/2015 00:00

Tirana do të ketë tregje të produkteve bujqësore, që funksionojnë në ditë të veçanta dhe në zona të veçanta.

Nga Baldushku, ku prezantoi administratorin Ilir Bermeta, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se do të ndërhyhet për t’i dhënë fund kaosit me tregtarët, që shesin produkte bujqësore të pakontrolluara në çdo cep të qytetit.

Ai u shpreh se, një nga zgjidhjet që ofron Bashkia e Tiranës është një sistem i ri, i cili përcakton zonat, ku do të shiten produktet, sipas një kalendari të përcaktuar.

“Duam të ndryshojmë edhe mënyrën sesi shiten produktet bujqësore në Tiranë. Historia, që çdokush që vjen nga zonat e fshatit shet në rrugë, jashtë çdo standardi higjienik, duhet të ndryshojë. Kjo është arsyeja, pse ne propozojmë që fundjavave të kemi tregje të dedikuara për zona të caktuara. Pra të dimë se, në një shesh apo rrugë të caktuar po shiten produkte nga Baldushku, nga Farka, Peza, Ndroqi, Kashari, e kështu me radhë. Do të kemi tregje të fermerëve që janë ekskluzivisht për ta, jo për tregtarët e shumicës, që edhe qytetarët e Tiranës të kenë mundësi të blejnë produkte bio, që vijnë drejtpërdrejt nga fermat, me çmime tregu”, tha kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.

Sipas kryetarit të bashkisë, kjo është një risi, e cila do të sjellë përfitime si për fermerët, edhe për ata që banojnë në zonat urbane.

“Ne do të kemi një pol për bujqësinë, ku Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Bujqësisë të funksionojnë bashkë, për t’i dhënë drejtim të gjithë këshillimit, për të cilin kanë nevojë zonat. Për t’u siguruar që asnjë investim nuk shkon dëm, si dhe për të pasur garancinë që do të kemi shitje të prodhimeve”, tha Veliaj.

Top Channel