Rama, në Vjenë: Një treg i hapur rajonal energjie siguron furnizimin dhe çmim të ulët

28/08/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama foli në Vjenë edhe në konferencën e 10-vjetorit të krijimit të komunitetit të Energjisë, që kryesohet aktualisht nga Shqipëria. Ai theksoi nevojën e një tregu rajonal të energjisë.

“Është e logjikshme që burimet energjetike shqiptare që janë të pastra, por ndonjëherë shumë kapriçioze, të jenë komplementare nga burimet e qymyrit të Serbisë, kur është e nevojshme. Një treg i hapur i energjisë mes vendeve të Ballkanit jo vetëm do të përmirësojë sigurinë e furnizimit, por gjithashtu do të sigurojë çmimet më të lira dhe të favorshme të energjisë dhe marrëveshjet më të mira për të gjithë konsumatorët tanë”, tha Rama.

Për kreun e qeverisë shqiptare duhet të kapërcehen pengesat e së shkuarës për ndërlidhjen e tregut energjitik. Dhe në ndryshim nga infrastruktura që kërkon ndihmën e BE-së për fonde, tregu i përbashkët energjitik, për Ramën, kërkon vetëm vullnetin e vendeve të rajonit.

“Ne jo vetëm mund të bëjmë foto historike, të cilat nuk janë më të tilla, por së bashku mund të përmirësojmë realisht ekonomitë tona. Jam shumë i lumtur t’ju informoj se në Samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ne jo vetëm ramë dakord për një listë prej 5 projektesh infrastrukturore që janë themelore për rajonin, por gjithashtu miratuam një listë masash që kanë si qëllim që krijimin e tregut rajonal të energjisë, struktura qeveritare, që janë të nevojshme për të maksimizuar fuqinë energjetike të rajonit”, vijoi kryeministri.

Për Edi Ramën, vendet e BE-së duhet të bashkëpunojnë për të kapërcyer sfidën e energjisë, jo vetëm brenda kufijve të unionit. Sipas tij, këto sfida janë paneuropiane, duke sjellë në vëmendje nevojën e rinovimit të ideve të themeluesve të BE-së, Schuman e Monnet, për t’i aplikuar ato në sektorin më të rëndësishëm, atë energjetik.

“Prandaj, mbështetja e BE-së për planin tonë konkret të veprimit për zgjerimin e sektorit energjetik në rajonin tonë dhe ndërlidhjen energjetike rajonale duhet të jetë prioriteti më i lartë”, tha ai.

Në pikëpamjen e shprehur të Edi Ramës, Ballkani Perëndimor gjithashtu duhet të jetë pjesë e planit të veprimit të BE-së për ndryshimet klimaterike, fenomen i lidhur fort me energjinë. Në rast të kundërt tha ai, rajoni do të përballet i vetëm duke vënë në pikëpyetje superioritetin moral të Europës sa i takon ndryshimeve klimatike.
 
Komuniteti i energjisë u themelua 10 vjet më parë, me synimin e afrimit të vendeve të rajonit të Europës Juglindore dhe Detit të Zi me Bashkimin Europian, për të zgjeruar tregjet e energjisë së brendshme të BE-së si dhe tërheqjen e investimeve në prodhimin e energjisë.

Top Channel