Mustafa shpjegon marrëveshjet: Serbia pranoi pakon e Marti Ahtisarit

28/08/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa vlerësoi se Serbia për herë të parë e ka pranuar pakon e Marti Ahtisarit me 25 gusht, kur është nënshkruar marrëveshja për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Duke folur në mbledhjen e kabintetit qeveritar e më pas edhe në një konferencë për media, Mustafa tha krijimi i asociacionit nuk imponon ndryshime kushtetuese dhe ligjeve të tjera, për të shtuar se marrëveshja është në pajtim me aktin më të lartë juridik dhe buron nga marrëveshja e 19 prillit 2013, e cila është miratuar nga Kuvendi i Kosoves me 2/3-tat e votave.

“Marrëveshja për asociacionin nuk imponon asnjë ndryshim kushtetues, nuk kemi lënë asnjë hapësirë për ndryshimin e Kushtetutës, sepse kjo është paraparë me marrëveshjen e parë, këtu kemi pasë një rezistencë të madhe të palës serbe, sepse ata na kanë thënë që s’kemi ardhë këtu të zbatojmë ligjet e kosovës, por në fund janë pajtuar”, është shprehur Mustafa.

Duke komentuar faktin se krjimi i AKS-së nuk do të shkojë në Kuvend, por do të zyrtarizohet me dekret të Qeverisë, shefi i Ekzekutivit kosovar sërish iu referua marrëveshjes së 19 prillit, e cila ka kaluar në kuvend. Ai theksoi se Qeveria do ta çojë marrëveshjen e parimeve dhe statutin e asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për të parë nëse ajo është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Asociacioni bëhet me dekret të Qeverisë, do të kërkohet mendimi i Gjykatës Kushtetuese se kjo marrëveshje është plotësisht në harmoni me Kushtetutën, nëse ata thonë jo, ne e ndalim procesin dhe ai nuk shkon përpara. Faza e dytë, edhe statuti do t’i shkojë, nuk e ka peshën ligjore, por vetëm të certifikohet, nuk shkon në Kuvend”, tha Kryeministri i Kosovës, Mustafa.

Kryeministri kosovar hodhi poshtë pretendimet e opinionistëve se asociacioni përbën nivelin e tretë të qeverisjes në Kosovë, duke mohuar kështu edhe karakterin një etnik të tij. Ai tha se asociacioni nuk ofron shërbime për qytetarë, por për komunat, nuk do të jetë organizatë buxhetore dhe çdo financim i tij i brendshëm apo i jashtëm, duhet të bëhet në suaza të dispozitave ligjore  të Kosovës.

Sa i përket karakterit ndëretnik të asociacionit, Mustafa tha se përbërja e komunave është me shumicë serbe, por nuk është një etnike, pasi 15 përqind e popullsisë është shqiptare.

Së shpejti, në Bruksel formohet grupi punues për shuarjen e të gjitha strukturave paralele. Sa i përket pasurive të tundshme dhe patundshme që i takojën asociacionit, Kryeministri sqaroi se kjo ka të bëjë me zyrat administrative dhe infrastrukturën teknologjike që shfrytëzon ASK-ja.

Ai po kështu tha se asociacioni  mund të jetë bashkëpronare e kompanive që ofrojnë shërbime lokale, ku sipas Kryeministrit, hyjnë ato që merren me pastrimin, varrezat etj, por jo bashkëpronarët e kompanive publike dhe pasurive natyrore.

Top Channel