Kosovë, Mustafa i quajti “veprime huligane” reagimet e VV

28/08/2015 00:00

Në një konferencë për media, Kryeministri i Kosovës sqaroi gjerësisht dy çështjet më të nxehta që karakterizuan këtë javë, tenderin qeveritar të fituar nga kompania që menaxhon djali i Kryeministrit dhe përplasjet me opozitën, veçanërisht me Lëvizjen Vetëvendosje.

Kryeministri Mustafa i quajti “veprime huligane” reagimet e këtij subjekti, për të theksuar se ndjehet keq për fjalorin e përdorur si kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Vetëvendosjes.

“E di veten keq që të vijë në një situatë të tillë, por përderisa të tjerët merren me familjen time dhe manipulojnë ata, duke i nxjerrë porosi më të rëndë, do t’u kërkojë falje kur ata të më kërkojnë falje mua, familjes dhe fshatit, të më kërkojë falje kryetari i VV-së”, tha Mustafa.

Sa i përket tenderit për servisin e një makine qeveritare të tipit BMË, në servisin e djalit të tij, Kryeministri tha se nuk ka qenë i informuar për detajet e këtij tenderi, duke premtuar se do ta ndalojë këtë praktikë.

“Unë meqënëse e di tash ia ndalojë me marrë asnjë kerr të qeverisë”, thotë Kryeministri i Kosovës.

Kjo çështje tashmë i ka kaluar edhe agjencisë antikorrupsion, e cila do të japë një vlerësim nëse ekziston apo jo konflikti i interesit.

Top Channel