Estonia do të ndërtojë “gardh” përgjatë kufirit me Rusinë

28/08/2015 00:00

Situata e tensionuar mes Ukrainës dhe Rusisë ka detyruar Estonin të mendojë seriozisht për ndërtimin e një “gardhi” përgjatë kufirit të saj lindor me Rusinë, por edhe për të penguar kalimet e paligjshme të kufirit të personave që tentojnë të futen në zonën “Shengen”.

Ministria e Brendshme e Estonisë ka bërë të ditur se është parashikuar që ndërtimi të shtrihet përgjatë 110 kilometrave të kufirit, ndërsa lartësia e “gardhit”, do të jetë rreth 2.5 metra. Projekti pritet të fillojë në vitin 2018 dhe është parashikuar të kushtojë rreth 80 milionë dollarë.

Ky projekt është bërë publik nga Estonia mes tensioneve të vazhdueshme ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit mbi konfliktin në Ukrainë. Gjithashtu, Europa është duke u përballur me fluksin gjithnjë e në rritje të emigrantëve.

“Qëllimi i ndërtimit është për të mbuluar totalisht kufirin tokësor, duke krijuar kushte ideale për ta realizuar këtë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Estonisë, Toomas VIKS për “AFP”.

Gardhi do të ndërtohet gati në një të tretën e kufirit mes Rusisë dhe Estoninë, pasi pjesa tjetër është e mbuluar nga uji.

Top Channel