“Katrina”, Bush rikthehet në Nju Orlenas. Pritet me protesta

29/08/2015 00:00

Ish-Presidenti George W. Bush, njëri ndër figurat më të kritikuara pas uraganit “Katrina”, është rikthyer në qytetin e rindërtuar të Nju Orlenasit 10 vite pas kësaj fatkeqësie natyrore.

Duke folur para një turmë të mbledhur në shkollën “Warren Easton Charter” në qendër të Nju Orleansit, Bush tha se banorët e këtij qyteti meritojnë nderime, për shkak se nuk u dorëzuan përballë “Katrinës”.

Vizita e Bush ishte pjesë e organizimeve për të shënuar 10-vjetorin e kësaj fatkeqësie, por ishte edhe njëra nga vizitat më të kontestuara. Bush ishte President në kohën kur “Katrina” goditi Misisipin.

Ai u kritikua ashpër për shkak se nuk vizitoi qytetin menjëherë pasi që ishte përmbytur në shkallën 80%, ndërsa gjithmonë është kritikuar edhe për menaxhimin e dobët me rastin e kësaj tragjedie.

Njëra nga fotot që bëri jehonë, ishte ajo kur Bush po shihte nga dritarja e Air Force One, kur avioni i tij ishte mbi Nju Orleans, ndërsa njerëzit ende ishin mbi çatitë e shtëpive duke kërkuar për ndihmë. Ai vazhdoi udhëtimin pa u ndaluar në këtë vend.

Para shkollës në të cilin po mbante fjalim ish-Presidenti Bush, disa qytetarë ishin mbledhur po protestonin kundër ardhjes së tij. Në njërën nga parullat e protestuesve shkruhej: “Ke ardhur shpejt, hajde pas një jave”.

“Të gjithë e dinë që në kohën kur njerëzit këtu po qanin dhe po bërtisnin për ndihmë, Bush ishte me pushime”, u shpreh njëri prej protestuesve.

Top Channel