Vdekjet e emigrantëve, OKB: Po përballemi me një krizë solidariteti

29/08/2015 00:00

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka kërkuar që të bëhet më shumë në parandalimin e vdekjeve të emigrantëve, të cilët kërkojnë të hyjnë në Europë.

Pas disa rasteve në brigjet e Libisë dhe atij në Austri, ku humbën jetën qindra refugjatë, Sekretari i OKB-së, Ban Ki-Moon ka bërë thirrje për një reagim kolektiv politik në mënyrë të evitohet një “krizë solidariteti”.

“Një pjesë e madhe e njerëzve që ndërmarrin këto udhëtime të mundimshme dhe të rrezikshme janë refugjatë që ikin nga vende si Siria, Iraku dhe Afganistani. Komuniteti ndërkombëtar duhet të tregojë vendosmëri më të madhe në zgjidhjen e konflikteve dhe problemeve të cilat detyrojnë njerëzit për t’u larguar nga vendet e tyre”, u shpreh ai.

Ban Ki-Moon bëri thirrje shteteve që të shqyrtojnë të gjitha rastet për azil dhe të mos detyrojnë njerëzit të kthehen nga vendet ku kanë ikur, në rast se iu rrezikohet jeta. Sipas tij, duhet të bëhet gjithçka për t’u shmangur një “krizë solidariteti”.

Ai gjithashtu kërkoi që të bëhet më shumë në goditjen e rrjeteve të trafikantëve, të cilët janë përgjegjës për qindra jetë të humbura.

Top Channel