Ndeshja me Danimarkën, De Biasi: Në fushë, lojtarët që janë në formë

29/08/2015 00:00

Në prag të dy ndeshjeve kyçe për këtë fazë të eliminatoreve të Europianit për përfaqësuesesn shqiptare, trajneri Xhani de Biazi, ndryshe nga herët e tjera, ka publikuar listën lojtarëve të grumbulluar nëpërmjet një videokonference.

Në listën e lojtarëve të grumbulluar bijnë në sy mungesa të rëndësishme në mbrojtje, si Mavraj apo Curri dhe në vendin e tyre tashmë do të jetë Ajeti dhe debutuesi me kuqezinjtë Xhemishti, të cilët kanë edhe lejen për të luajtur me përfaqësuesen shqiptare.

Sa i përket ndeshjes, trajneri Xhani de Biazi i ka vënë theksin shumë lojtarëve që ende nuk kanë siguruar skuadër aktualisht dhe nuk janë në formë optimale fizike.

“Kjo ndeshje me Danimarkën është kyçe për ecurinë tonë. Sa i përket kësaj periudhe duhet të kemi parasysh që nuk kemi shumë kohë për ta përgatitur këtë ndeshje, pasi disa nga lojtarët tanë do të luajnë të dielën në mbrëmje dhe stërvitja jonë e parë e plotë do të jetë të martën pasdite. Për mbrojtjen që kemi probleme do të më duhet të vendos këto ditë në stërvitje mes Ajetit, që luajti shumë mirë me Francën, dhe Xhemishtit që e bën po kaq mirë atë rol. Kemi disa lojtarë pa skuadër dhe që nuk janë në formën optimale, por unë do të zgjedh për ta nga grumbullimi që do të bëj. Jemi një skuadër që punojmë shumë me anën fizike dhe kjo pikë jona e fortë na bën të kalojmë diferencat ndoshta teknike që kemi me kundërshtarët. Do të përpiqemi ta fitojmë këtë ndeshje në mënyrë inteligjente”, tha De Biasi.

Përfaqësuesja kuqezi do të fillojë grumbullimin ditën e hënë zyrtarisht në Venecia dhe do të stërvitet aty deri ditën e enjte përpara nisjes për në Kopenhagen.

Ndeshja mes Danimarkës dhe Shqipërsië do të luhet ditën e premte më 4 shtator dhe në “Elbasan Arena” më 7 shtator.

Top Channel