Sulmi me vezë i Vetëvendosjes, Mustafa: Një glacitje zogjsh

29/08/2015 00:00

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje mbrëmë kanë goditur me vezë makinën e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa ndersa ai po shkonte për të marrë pjesë në një emision në televizionin publik. Fillimisht lajmin e bëri të ditur Lëvizja Vetëvendosje, për t’u komentuar më pas edhe nga vet kryemeinistri në rrjetin social Facebook.

Ai e quan glacitje aksionin e lëvizjes Vetëvendosje, aksione këto të shpeshtuara ditëve të fundit si pasojë e nënshkrimit të marrëveshjes për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Mbrëmë deri sa po shkoja në intervistë dëgjova një krismë në makinë, por mendova që ishte jashtëqitje e zogjve. Më paskan gjuajtur me vezë njerëzit që marrin rrogë te Shpend Ahmeti e Dardan Sejdiu”, shkruan kryeministri kosovar ndër të tjera në Facebook.

Nga ana e saj Policia e Kosovës po mbrëmë arrestoi zyrtarin e Komunës së Prishtinës, Salih Zyba. Sipas një komunikate, mbrëmë, policia ka hasur në një mjet të dyshuar pranë komunës së Prishtinës. Por siç shpjegohet rasti nga policia, kur zyrtarët policor kanë shkuar për ta verifikuar mjetin, janë takuar me personin e dyshuar Salih Zyba, i cili ka fyer zyrtarët policor duke i sulmuar edhe fizikisht ata.

Kjo ka pasuar edhe angazhimin e dy zyrtarëve policor me rroba civile, të cilët e kanë arrestuar Zybën dhe i njëjti po mbahet në mbajtje me urdhër të prokurorit. Tjetër version ka dhënë lëvizja Vetëvendsoje sipas së cilës aktivisti është arrestuar nga personat civilë të cilët fillimisht e kanë rrahur atë.

Top Channel