Veliaj: 29 çerdhe janë adoptuar, ambientet bëhen gati më 15 shtator

29/08/2015 00:00

Edhe këtë të shtunë kryetari i bashkisë së Tiranës, ka veshur jelekun që tashmë është bërë simboli i vullnetarëve që janë duke ndihmuar në rikonstruksionin e çerdheve të Tiranës.

“Sot në të 31 çerdhet e Tiranës ka një brigadë të ngjashme që me një aksion të shpejtë po mundohen të sjellin në terezi institucioneve ku u shërbehet qytetarëve tanë më të vegjël, bebeve të Tiranës. 29 çerdhe janë adoptuar nga biznesi, 2 çerdhe po bëhen nga stafi i bashkisë. Në disa çerdhe jemi detyruar ta rrëzojmë të gjithën në tokë dhe ta ngrejmë nga e para”, tha Veliaj.

Vlera monetare e ndihmës financiare të biznesit dhënë për rikonstruksionin e çerdheve shkon deri tani në 2 milion dollarë, çka për Erion Veliaj do të ishte e pamundur të bëhej me financat e bashkisë në një kohë që sipas tij borxhi i lënë nga Lulzim Basha në këtë institucion kap shifrën e 31 milionë dollarë. Për të përmbushur ambicien për t’i pasur gati ambientet për fëmijët në 15 shtator, Erion Veliaj zgjodhi rrugën për t’i kërkuar ndihmë biznesit dhe vullnetarëve duke ndjekur parimin praktik.

“Lypja faqen e zezë e ka po pa gjë nuk të lë”, tha ai.

Kreu i bashkisë së Tiranës nga ky ambient i ka kthyer përgjigje edhe atyre që kanë kundërshtuar aksionin e lirimit të trotuarëve.

“Ajo 1 për qind që mërzitet nga aksionet tona do arrijë të kuptojë që 99 për qind e qytetarëve të Tiranës do shtet, do higjienë, do disiplinë, do rregull, do pastërti”, tha Veliaj.

Top Channel