Ligj për sinjalizuesit e korrupsionit; mbrojtje dhe anonimat për denoncuesit

29/08/2015 00:00

Për të forcuar tabanin ligjor me anë të të cilit synohet goditja e fenomenit të korrupsionit, në vendin tonë po tentohet të futet një koncept i ri dhe ai është “figura e sinjalizuesit”.

Projektligji synon të ofrojë për sinjalizuesin mbrojtjen dhe anonimatin, anonimat i cili parashikohet të ruhet në të gjitha fazat e procesit, me përjashtim të procesit gjyqësor.

Gjithashtu, sipas projektligjit nëse sinjalizuesi zgjedh që të informojë edhe publikun për një aferë korrupsioni, në këtë rast ai nuk gëzon të drejtën e mbrojtjes ose nëse e ka marrë nga autoritetet, ai e humbet atë në momentin që vendos të publikohet.

Por, ndërsa projekligji parashikon që mbrojtja e tij ofrohet nga Prokurori i Përgjithshëm në rast se jeta e tij dhe e familjarëve është në rrezik, një mendim ndryshe ka misioni Euralius. Në një rekomandim të dorëzuar ministrisë dy ditë më parë, Euralius rekomandon që ky nen të fshihet pasi është i panevojshëm duke qenë se në legjislacion ka një parashikim të tillë, ku autoritetet ofrojnë mbrojtje për dëshmitarët e drejtësisë.

Euralius i thotë Ministrisë së Drejtësisë se informacioni i sinjalizuesit duhet të shkojë brenda afatit të duhur tek autoritetet përkatese. Po kush është institucioni që do t’i raportohet dhe që pritet të marrë fuqi ? Sipas projektligjit, njësia e posaçme duhet të përbëhet nga persona të trajnuar posaçërisht, të cilët përpos ndjekjes së fakteve të raportuara janë po ashtu përgjegjës për mbrojtjen e dokumentacionit të referuar në mënyrë që ai të mos zhduket apo tjetërsohet.

Kjo njësi, thuhet më tej, është institucioni që do të kontrollojë funksionimin e këtyre njësive dhe kur kjo vepër e raportuar nga sinjalizuesi përbën shkelje administrative, atëherë me këtë çështje merret Inspektoriati i Lartë. Por kur kjo çështje konstatohet se përbën vepër penale, atëhere Inspektoriati i Larte ia referon çështjen Prokurorisë.

Projektligji shprehet se barra e provës bie mbi subjektin e raportuar që i duhet të provojë se ky informacion i sinjalizusit ka qenë i rremë.

Në projektligj futen edhe termat “mbrojtje e sinjalizuesit nga hakmarrja”, siç mund të jetë pushimi i tij nga puna apo transferimit, ku kompetencat për ta pezulluar këtë akt juridik e ka sërish Inspektoriati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive.

Gjithashtu, në projektligj shtohet në nenin 20-të se nëse sinjalizuesi dëmtohet nga hakmarrja, atëherë ai ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim financiar, ku çdo veprim hakmarrjeje në detyrë, pra hakmarrje administrative, varion me gjoba nga 100 mijë deri në 300 mijë lekë.

Top Channel