Rama mbledh drejtuesit vendorë të PS-së së Vlorës

29/08/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama, për më shumë se 60 minuta, ka zhvilluar një takim me disa prej deputetëve të qarkut Vlorë dhe të zgjedhurit vendorë.

Takimi është fokusuar në çështjet organizative të partisë në këtë qark, por edhe në ato që lidhen me investimet dhe punësimin. Problematikat që ka ky qark do të diskutohen nëpërmjet një mekanizmi të ri i cili pritet të aplikohet në të gjithë vendin. Do të ngrihet një grup pune, në përbërje të së cilit janë deputetët e zonës, të zgjedhurit lokalë dhe dy ministra.

Në këtë takim mungoi deputetja, Valentina Leskaj e zgjedhur në këtë qark pasi është nisur për në OKB. Top Channel ka mësuar se gjatë shtatorit në kuadër të riorganizimit të strukturave të PS-së, në bazë do të ketë një sërë ndryshimesh, duke filluar me ndryshimin e kujdestarisë së deritanishme në qarqe nga deputetët socialistë. Gjithashtu, priten ndryshime të shumta në drejtimin e degëve lokale të PS.

Në ato qytete ku PS në zgjedhjet lokale të 21 qershorit nuk shënoi rezultate që priteshin, kryetarëve të degëve u është kërkuar të dorëhiqen.

Top Channel