Lista Serbe bllokon ngritjen e Ushtrisë së Kosovës

29/08/2015 00:00

Qeveria e Kosovës duket se është tërhequr nga shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur duke e ndryshuar Kushtetutën e vendit.

Shkak për këtë është bërë Lista Serbe, e cila ka refuzuar të votojë në Kuvend këto ndryshime.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një status në Facebook  paralajmëron se në rast të mungesës së mirëkuptimit për amandamentet kushtetuese, të cilat e tranformojnë FSK-në në FAK, Qeveria do të procedojë me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit mbi FSK-në.

Sipas kryeministrit me ndryshimet ligjore FSK do të marrë të gjitha përgjegjësitë që ishin të parashikuara për Forcat e Armatosura të Kosovës, duke paralajmëruar kështu edhe ndryshimin e emrit të FSK-së.

Kryeminsitri ka shtuar se bashkë me aleatin në qeverisje, Hashim Thaçi, kanë vlerësuar se nuk ka arsye të  zgjatet edhe më tej transformimi i FSK-së dhe ky transformim të varet nga vullneti i një subjekti politik.

Top Channel