Polici-OSHEE, 42 raste vjedhjeje; 18 të arrestuar dhe 12 të shpallur në kërkim

30/08/2015 00:00

Policia e Shtetit dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) kanë vijuar punën e përbashkët për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike, edhe gjatë javës së fundit, duke ndërprerë gjithashtu një sërë lidhjesh të paligjshme.

Në javën që po lëmë pas, në të gjithë vendin janë ushtruar kontrolle në 5678 raste, nga rreth 100 grupe të përbashkëta pune Polici-OSHEE në ditë, dhe si rezultat janë evidentuar 42 raste vjedhjeje energjie elektrike, me po kaq autorë përgjegjës, mes të cilëve abonentë biznes dhe familjarë.

Ndër shkelësit janë arrestuar në flagrancë 18 persona, të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike, 12 të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa ndiqen penalisht në gjendje të lirë 12 persona.

Gjatë së njëjtës periudhë janë kontrolluar 104 kabina elektrike dhe janë ndërprerë 1923 lidhje të abonentëve debitorë.

Policia e Shtetit dhe OSHEE, siç kanë theksuar vazhdimisht, janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur për shkëputjen e lidhjeve të paligjshme, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë dhe e vjedhin energjinë elektrike, qofshin përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së.

Top Channel