Policia e Shtetit, rezultatet javore të aksionit kundër veprimtarive të paligjshme

30/08/2015 00:00

Policia e Shtetit ka vijuar edhe këtë javë aksionet për të goditur paligjshmëritë, duke iu referuar kështu parandalimit të ndërtimeve pa leje, prerjes së paligjshme të pyjeve dhe organizimit të lotarive të palejuara.

Sa i përket ndërtimeve të paligjshme, strukturat e Policisë së Shtetit kanë evidentuar 45 raste në të gjithë vendin, për të cilat janë përgjegjës 45 autorë. Nga këta, 4 janë arrestuar në flagrancë, 39 të tjerë ndiqen penalisht në gjendje të lirë, ndërsa dy autorë janë shpallur në kërkim.

Ndërsa në lidhje me prerjen e paligjshme të pyjeve, gjatë kësaj jave janë evidentuar 18 raste në të gjithë vendin, me 18 autorë përgjegjës. Prej tyre, 4 janë arrestuar në flagrancë dhe 14 të tjerë ndiqen në gjendje të lirë.

I njëjti numër rastesh në të gjithë vendin është evidentuar edhe për organizimin e lotarive të palejuara, teksa Policia e Shtetit njofton se 12 persona janë proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Në kuadër të luftës kundër lotarive të paligjshme, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 14 makineri lojërash fati, si dhe aksesorë të tjerë që shërbejnë për këtë qëllim.

Strukturat e Policisë së Shtetit shprehen të vendosura për të vijuar punën edhe në vazhdim për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme.

Top Channel