SHBA, Christie: Do t’i gjurmoja emigrantët, siç bën FedEx me pakot

30/08/2015 00:00

Donald Trump nuk është i vetmi që premton dorë të fortë ndaj emigrantëve, nëse merr Presidencën e Shteteve të Bashkuara në 2016-n. Një tjetër republikan në zë, guvernatori i New Jerseyt, Chris Christe bëri një zotim, që shënjestron sa ata pa leje të rregullt qëndrimi, aq edhe vizitorët. “Do t’i gjurmojmë – tha Christie, – ashtu siç gjurmon FedEx-i pakot e tij”.

“FedEx-i mund t’iu thotë në çdo moment se ku ndodhet çdo paketë e tij. Është në kamion; është në stacion; është në avion. E kështu duhet të bëjmë dhe ne me njerëzit, që vijnë në këtë vend. Ne u japim viza për në Shtetet e Bashkuara, por nga momenti që hyjnë humbim çdo gjurmë të tyren”, tha Chris Christie, guvernator i New Jerseyt.

“Si President – vazhdon Christie, – do të kërkoja ndihmën e Fred Smithit, themeluesit të Federal Express dhe, nisur nga eksperienca e kësaj kompanie amerikane, e njohur në mbarë botën për shërbimin e shpejtë e të sigurtë, do t’i tregoja agjencive të emigracionit sesi të zbulojnë personat, të cilëve u skadon viza, por tentojnë qëndrimin në Amerikë si të paligjshëm”.

“Na duhet një sistem, i cili ta gjurmojë individin që në momentin që hyn në Amerikë, e deri sa i vjen koha për t’u larguar. Atëherë do të shkojmë t’i biem në sup e t’i themi: Na falni, faleminderit që erdhët, por tani duhet të ktheheni mbrapsht”, tha Christie.

Për këtë qëllim, siç sqaroi zëdhënësja e fushatës së tij, Samantha Smith, e bija e Fred Smithit do të ketë angazhim të madh, lidhur me një nivel më të lartë teknologjie, i cili nuk do të kufizohet vetëm te gjurmimi i vizave, por edhe përdorimi i “drone”-ve në kufi.

Të tilla komente përbëjnë një kthesë të beftë në qëndrimin e Christiet, i cili deri vonë ka ruajtur një pozicion të moderuar në raport me emigracionin. Guvernatori është shfaqur si kundërshtar i ndërtimit të një barriere përgjatë kufirit të SHBA-ve me Meksikën, ndërsa ka qenë dhe një zë i fuqishëm mbështetës i sistemit “E-verify”, i cili ngarkon me përgjegjësi për veprimet e tyre personat që punësojnë emigrantë të paligjshëm.

Top Channel