PD: Kokëdhima, beu i Jugut të vendit. Model i grabitjes së pasurive

30/08/2015 00:00

Në një deklaratë për mediat, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka denoncoi këtë të dielë, atë që e quajti shpallje nga kryeministri i vendit të deputetit të Qarkut të Vlorës, Koço Kokëdhima, si padron të të gjithë jugut, përfshi këtu edhe Gjirokastrën.

“Edi Rama e pranoi zyrtarisht dhe publikisht se beu i Jugut është Koço Kokëdhima. ‘De facto’, Kokëdhima ka qenë deri më sot ‘kryeministri’ i aksit Lushnje-Fier-Vlorë-Sarandë, ku vendoste për gjithçka: për çdo tender, privatizim apo punësim. Por dje, ai është shpallur edhe ‘de jure’ nga Edi Rama, si padron i Jugut. Nën justifikimin e një organizimi të ri të PS-së, dje Kokëdhimës i është shtuar nën zotërim edhe Qarku i Gjirokastrës”, tha kryetari i grupit të PD-së, Edi Paloka.

Më tej, Paloka bëri edhe analizën e modelit të ofruar prej Ramës në qeverisjen e vendit, e veçanërisht jugut të Shqipërisë, kur tha:

“Me këtë akt, Edi Rama pranoi se modeli i tij për rajonin e Jugut është ‘Koço Kokëdhima’, pra: është përvetësimi i pasurisë publike, i bregdetit, zhvatja e pronave, ndërtimi i paligjshëm i kështjellave buzë Jonit, mbjellja e hashashit, kapja dhe trafikimi i çdo vendi pune, afrimi në stafin e ngushtë të deputetëve, të pedofilëve që këmbejnë vende pune me favore seksuale, promovimi i personave me precedentë të tmerrshëm kriminalë, si kryetari i Qarkut Vlorë, si dhe shkelja e Kushtetutës në të paktën 150 raste të përfitimit të fondeve publike, duke qenë deputet”, deklaroi Paloka.

Duke theksuar se Partia Demokratike e refuzon, ashtu siç beson se edhe qytetarët e jugut dhe të të gjithë vendit do të dijnë të refuzojnë shtypjen e poshtërimin, që u bën çdo ditë Edi Rama si kryeministër i vendit, Paloka renditi disa arsye përse Kokëdhima – sipas tij, – nuk përfaqëson asnjë qytetar dhe socialist.

“Në të vërtetë, Koço Kokëdhima nuk përfaqëson asnjë qytetar dhe asnjë socialist të ndershëm të jugut dhe të të gjithë Shqipërisë. Ai është përfaqësues i oligarkisë, që ka kapur pushtetin dhe e ushtron atë, çdo ditë e çdo orë për interesat e veta financiare. Modeli i Ramës për Jugun është modeli i ideatorit të legalizimit të drogës dhe rrëmbimit të çdo prone. Janë me dhjetëra ankesat e denoncimet e përditshme të qytetarëve për Koço Kokëdhimën. Janë me mijëra ankesat e denoncimet të vetë socialistëve të tradhtuar nga deputeti i tyre dhe nga mënyra sesi e ushtron ai pushtetin. E megjithatë, Edi Rama e shpalli me ceremoni dhe e kurorëzoi Koçon si beun e Jugut, duke e legjitimuar pushtetin e tij të paligjshëm, duke sjellë në krye modelin më të keq të abuzimit e përfitimit me pushtetin”, përfundoi deklaratën Paloka.

Top Channel