Lufta ndaj bandave të trafikantëve, BE: T’i përndjekim kudo

30/08/2015 00:00

Vdekja e 71 refugjatëve në një kamion në Austri ishte një prej dëshmive më tronditëse të brutalitetit pa kufi të trafikantëve, që shfrytëzojnë dramën e refugjatëve për t’u pasuruar, ndërsa ata vetë i trajtojnë me mospërfilljen më të madhe ndaj jetës së njeriut.

Një person i pestë është prangosur, nën dyshimin e përfshirjes në ngjarjen tronditëse.

Nga kamioni i gjetur në afërsi të Vjenës u nxorën më shumë të vdekur nga sa u mendua në fillim; një episod i tmerrshëm që shtyu Komisionin Europian të deklaronte se, kriminelët duhet të përndiqen me të gjitha mjetet, që gjëra të tilla të mos përsëriten kurrë.

Në fakt, lufta kundër trafikantëve është shumë lart në axhendën europiane, por kjo – sipas analistëve, – ka mbetur vetëm në letër. Prej vitesh, ekspertët paralajmërojnë për tregti me njerëz dhe kontrabandë të drogës në përmasa të mëdha, nga bandat e organizuara kriminale në mbarë botën.

Në qendër të vëmendjes së bllokut është vënë më së shumti lufta kundër trafikantëve në Mesdhe, ku është angazhuar edhe Marina gjermane, e cila së bashku me atë italiane kontrollojnë rrugët dhe rrjetet e trafikimit.

Por, mundësia e veprimit është mjaft e kufizuar, pasi bandat kryesore nuk janë në ujë. Të mendosh se mund të ndalosh punën e grupeve të tilla në Libi është një iluzion. Pas këtyre grupeve fshihen klane, të cilat nuk mund të shkatërrohen, ndërkohë që forcat e huaja nuk kanë ndonjë mandat të OKB-së për të vepruar atje.

Sa u përket refugjatëve në Greqi, bandat kryesore të trafikantëve janë në Turqi. Qeveria turke mund të bëjë diçka kundër tyre, po të donte. Por nuk do – mendojnë analistët, – sepse këto banda kriminale largojnë nga Turqia me qindra e mijëra refugjatë, të cilët ndryshe do të mbeteshin atje.

Dhe, më në fund, Ballkani, prej nga vijnë edhe kamionët e vdekjeve së tmerrshme. Ballkani, prej vitesh është vendstrehim i grupeve kriminale, – thekson “Deutsche Ëelle”. – Qeveritë e dobëta dhe të korruptuara, strukturat mafioze në polici dhe drejtësi, si dhe ekonomia e dobët janë një tokë shumë pjellore për bandat kriminale, të cilat kanë krijuar prej kohësh rrjetet e tyre në të gjithë Europën.

Top Channel