Hysen Haxhiaj: Si na vranë shpirtin dhe trupin në burgun e Spaçit

30/08/2015 00:00

Hysen Haxhiaj sot është 74-vjeç, por ende përlotet kur kujton se sa herë e kanë penguar dhe zbuar në rrugën e tij për t’u arsimuar, apo për të fituar një vend pune.

“Në ‘66-n, në vitin e dytë, në provimet e shtetit më përjashtojnë me motivacionin “biografi të keqe politike”. Imagjino, 26-vjeç kisha mbaruar edhe ushtrinë, ku do të mbytesha? Ku do të shkoja? U bëra pjesë e teatrit dhe aktiviteteve të klasës punëtore dhe fitova vendin e parë si personazh i të “Pamposhturit” të Minush Jeros. Kjo si duket më futi në ombrellën e spiunëve të sigurimit”, rrëfen Hysen Haxhiaj.

Sigurimi i Shtetit e dënon me 10 vite burg për agjitacion e propagandë. Në sallën e kinemasë së Durrësit bëhet një gjyq i hapur, ku Hyseni dënohet me dëshmitarë që nuk i kish parë asnjëherë në jetën e tij.

“Të nesërmen do të më arrestonin, e nuhata, se po më qëndronin spiunët mbrapa edhe kur shkova në Golem te vjehrri i thashë: mua do të më arrestojnë, të lutem me ndaj dhe më rrit vetëm vajzën. Edhe ashtu u bë, më rriti vajzën. Kur u ktheva e gjeta vajzën 17-vjeç dhe ndieja një mungesë lidhjeje me të sepse për 17 vite i kishin thënë që kam vdekur ose që jam në spital”, vazhdon rrëfimin e tij Hyseni.
 
Pasi divorcohet nga gruaja, dhe lë vajzën e vogël dyvjeç, të cilën do ta ritakonte pas 15 vitesh,  për të nisë një jetë tjetër, ajo e tmerreve dhe vuajtjeve në burgun e Spaçit.
 
“Më duket çudi si jetoj, edhe pse jetoj. Kemi pas thyerje brinjësh, më kanë hequr dhëmballën e shëndoshë me pinca korenti”, tregon Haxhiaj.
 
Pas 10 vitesh burg, Sigurimi i Shtetit vendos ridënimin e tij. Kjo do ta çonte Hysenin drejt vetëvrasjes. Për të jeta nuk kishte asnjë kuptim.
 
“Unë kam gjetur në Ballsh, kur më dënuan për së dyti, Arif Gashin, të cilit ia kishin hequr organet seksuale me brisk. Ia qepi një doktor dhe përsëri e gjeta të infektuar, profesorin tim të marksizmit”, tregon ai.

Hyseni është një ndër dëshmitarët e gjallë të asaj kohe, i cili kërkon që këtyre njerëzve që vuajtën me pa të drejtë në burg të trajtohen denjësisht nga shteti i sotëm.

Top Channel