Asociacioni i Komunave, VV bën thirrje për protesta

30/08/2015 00:00

Krerët e Lëvizjes Vetëvendosje i kanë ftuar qytetarët e Kosovës që me protesta të kundërshtojnë marrëveshjen e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Përfaqësuesit më të lartë të Vetëvendosjes kanë mbajtur të dielën një tribunë në Prishtinë ku para qindra qytetarëve kanë paraqitur qëndrimet kundër Asociacionit të ri që Vetëvendosje e ka emërtuar me emrin “Zajednicë”.

Sipas krerëve të Vetëvendosjes, marrëveshja e nënshkruar nga kryeministri kosovar Isa Mustafa i ka lejuar Serbisë që të fuqizohet brenda Kosovës njëjtë sikur në Bosnje.

“Isa Mustafa i ka tri zgjedhje, ose ta tërheqë nënshkrimin nga marrëveshja e 25 gushtit dhe të thotë se ‘Zajednica’ nuk kalon. Po ta thoshte këtë Isa Mustafa atëherë ai me të vërtetë do të bëhej kryeministër i Kosovës. Po nëse këtë nuk ka guxim ose mundësi ta bëjë, atëherë të japë dorëheqje. Dhe kështu do t’i hapte rrugë një procesi politik në Republikën e Kosovës i cili do t’i rriste mundësitë për ta shpëtuar Republikën e Kosovës nga kjo e keqe që po i përgatitet. Por nëse këtë nuk e bënë sepse nuk e lënë, ose nuk do, atëherë populli i Kosovës duhet që të organizohet në mënyrë që ta detyrojë Isa Mustafën ta lëshojë postin e kryeministrit”, u shpreh kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu shpjegoi para qytetarëve formën e organizimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Tani me marrëveshjen e fundit, kjo ‘Zajdencicë’ do ta ketë Presidentin, që do ta përfaqësojë brenda dhe jashtë vendit, por edhe zëvendësin e tij, thua se është shtet i konsoliduar. Do ta ketë qeverinë që këta po e quajnë ekzekutiv, në fakt bord që do të ketë rolin ekzekutiv dhe Kuvendin si institucion legjislativ dhe përfaqësuesit e zgjedhur që do të vijnë nga komunat me shumicë serbe. Madje do t’i ketë edhe simbolet e veta për ta bërë të dallueshme nga Republika e Kosovës, sikur shtet me masa të fuqishme mbrojtëse e identifikuese”, deklaroi Haxhiu.
   
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ishte i pranishëm në tribunë, i ftoi qytetarët që të mobilizohen në protesta kundër marrëveshjes së Brukselit pasi sipas tij, nëse qytetarët i thonë jo Asociacionit, qeveria nuk mund t’ua imponojë.

Pas diskutimeve në sallën e kuqe në Pallatin e Rinisë, aktivistët e Vetëvendosjes kryen edhe një aksion simbolik për të shprehur kundërshtimin ndaj marrëveshjes për Asociacionin e Komunave serbe.

Përfaqësuesit e Vetëvendosjes kanë paralajmëruar edhe tribuna të tjera për të kundërshtuar marrëveshjet e Brukselit, ndërsa pas tyre pritet të caktohet edhe data e protestës e cila pritet të mbahet në Prishtinë.

Top Channel