“Dita e të zhdukurve”, Mustafa: Çështja do të diskutohet edhe në Bruksel

30/08/2015 00:00

Në ditën ndërkombëtare për persona të zhdukur, përfaqësues të qeverisë dhe shoqatave të familjarëve të të zhdukurve kërkuan nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë më shumë presion mbi Serbinë, që të hapë rrugë për hulumtime të varrezave masive të krijuara 16 vjet më parë nga forcat serbe.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryeministri Isa Mustafa, i cili tha se çështja e të pagjeturve do të diskutohet edhe në bisedimet e Brukselit.

“Kërkojmë sot nga komuniteti ndërkombëtar që të kërkojë nga Serbia që të hapen të gjitha mundësitë, që të hulumtohen, të kryhen gërmimet dhe që të jepen informata lidhur me njerëzit tanë që janë marrë dhunshëm nga Kosova dhe për të cilët akoma nuk ka të dhëna se çfarë ka ndodhur dhe ku janë. Kërkojmë të hapen të gjitha arkivat në mënyrë që të gjinden të gjitha të dhënat që mundësojnë zbardhjen e rasteve dhe po ashtu që gjithë ata që kanë kryer këto veprime të përgjigjen para ligjit. Duhet të përgjigjen të gjithë ata që kanë bërë gjenocid mbi popullin tonë, të gjithë ata që kanë bërë krime në njerëz të pafajshëm”, u shpreh Mustafa.

Përfaqësuesi i familjarëve të zhdukur tha se janë në dijeni se kush ua ka marrë të dashurit e tyre.

“Ne, familjarët, e dimë se kush na i ka marrë më të dashurit tonë, e dimë edhe kush na i ka ekzekutuar dhe kush ka mbaruar shtëpi mbi to. Por, ende ndërkombëtarët vijnë rrotull Kosovës e cila i ka 10 mijë e diçka kilometra. Ju lutem, në emër të familjarëve, se ata të keni kujdes, pasi është dita e ndërkombëtare e personave të zhdukur dhe shënohet në këto troje, ta ndiejnë dhimbjen e gjithë atyre që nuk i kanë më të dashurit e tyre. T’i marrin këto gjëra parasysh dhe të na ndihmojnë”, tha Bajram Qerkinaj, përfaqësues i familjeve të të zhdukurve.

Kërkesa për ndërkombëtarët pati edhe kryetari i Komisionit qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj, i cili tha se Serbia e dinë se ku gjenden varrezat masive.

“Në këtë ditë, kemi porosi dhe kërkesa të veçanta, që të ndihmojmë këtë proces me dhënien e informatave, me angazhimin tonë, me ndriçimin e fatit të personave të pagjetur. Por, kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë presion mbi palën serbe e cila ka informata, dinë, kanë arkiva, kanë të dhëna, kanë shënime se ku gjenden varret masive, sepse edhe 1650 persona evidentohen të zhdukur”, deklaroi Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit qeveritar për Persona të Pagjetur.

Për të shënuar ditën ndërkombëtare të personave të zhdukur, në kuadër të aktiviteteve të Komisionit qeveritar për Persona të Pagjetur, u vendosën lule pranë përmendores dedikuar të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë.

Gjithashtu, nga ndërtesa e Kuvendit u bë edhe “Ecja e përbashkët” për t’u ndalur pastaj në sheshin “Nënë Tereza” ku ishin vendosur disa silueta në të cilët qytetarët dhe familjarët filluan të vendosin porositë e tyre për më të dashurit që nuk e dinë se ku i kanë.

Top Channel