Reforma dhe drejtësia për të miturit, ekspertët: Burgu të jetë alternativa e fundit

31/08/2015 00:00
Foto Arkiv

Në tryezën e radhës për reformën në drejtësi, që kishte në fokus të miturit, ekspertë të nivelit të lartë sugjerojnë jo vetëm shtimin e seksioneve për ta , por edhe shqyrtimin e mundësive për të krijuar një gjykatë për të miturit.

Nga ana tjetër përfaqësuesit e UNICEF rekomandojnë hartimin e një kodi të posaçëm për minorenët, si edhe të përfshihet në Kushtetutë klauzola e parimit të interesit më të lartë të fëmijës. Në raport nënvizohet të kihet parasysh që dënimi me burgim i fëmijëve të shikohet si alternativa e fundit.

Ekspertët konstatojnë mangësi në legjislacion përsa i përket shmangies së ballafaqimit të viktimës fëmijë me të akuzuarin dhe faktit që edhe pse ka një ligj për mbrojtjen e dëshmitarëve , praktikisht tek fëmijët nuk gjen zbatim.

“Të drejtat e fëmijëve janë të shpërndara në ligje, të fragmentizuara në shumë ligje. Vështirësia që has një autoritet për të shkuar, për të bredhur sa nga njëra parcelë në tjetrën, dhe këtu përfshij jo vetëm gjyqtarët, por edhe avokatët, përmbaruesit, ndonjëherë noterët, të gjithë me radhë. Problemet e administrimit të drejtësisë për të miturit, mungesa e udhëzimeve të detajuara për gjykatën, mbajtja e gjatë në rajonet e policisë së të miturve, ambientet e papërshtatshme, mungesa e mjaftueshme e psikologëve, mungesa jo apo jo adekuate e shërbimeve ligjore. Të gjitha këto janë sfida që detyrimisht duhet të merren në konsideratë nga reforma në drejtësi ”, tha Arta Mandro, eksperte e nivelit të lartë.

Përfaqësuesja e opozitës Majlinda Bregu nënvizoi se duhet të forcohet roli i shërbimit social dhe i psikologëve.

“Por besoj se dhe këtu është një element për tu rregulluar, sepse e para, detyrimi ushqimor për fëmijën, duhet të jetë prioritet. Penalizimi në rastet kur ai nuk ndodh duhet të jetë po ashtu një prioritet. Pra, ne nuk mund të tolerojmë që një prind i papërgjegjshëm për vite të tëra me radhë, derisa të apelojë, t’i dalë data e apelit, të marrë vendimin nga apeli për pensionin ushqimor që i është caktuar për fëmijën, fëmija të rrijë pa ngrënë, sepse babai apo nëna e papërgjegjshme, ndodh më rrallë, nuk pranon që të paguajë pensionin ushqimor që i ka caktuar gjyqtari”, tha Majlinda Bregu, deputete e PD-së.

Në lidhje me pritshmëritë e kësaj reforme që deri më tani ka skanuar dhe ka nxjerrë gjetjet përkatëse të sistemit të drejtësisë në vend, deputetja socialiste Vasilika Hysi preku një pikë tjetër siç është besimi i publikut.

“Të gjithë ne jemi dëshmitarë që njerëzit nuk besojnë tek reforma në drejtësi. Edhe sot që ky komisioni i Nivelit të Lartë në Drejtësi ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe ka prodhuar tre dokumenta të rëndësishëm, njerëzit përsëri kanë atë dyshimin nëse do t’i shkohet deri në fund”, tha Vasilika Hysi, deputete e PS-së.

Statistikat tregojnë se që prej 2009 gjykata ka dënuar me shërbim prove 1800 të mitur, të dhëna që analizohen si trend në rritje i përfshirjes së të miturve në kriminalitet.

Top Channel