Gazi natyral, ENI njofton zbulimin e rezervave në ujërat egjiptiane

31/08/2015 00:00

Gjigandi energjitik italian, ENI, njoftoi se ka zbuluar në detin Mesdhe, pranë ujërave territoriale egjiptiane, rezervat më të mëdha nënujore të gazit natyral.

Kryeministri Matteo Renzi nxitoi ta përshëndeste lajmin si rezultatin e jashtëzakonshëm të një pune intensive kërkimore që i çon raportet mes dy vendeve drejt një optike të re partneriteti strategjik.

Entuziazëm ka edhe në Egjipt. “Ky zbulim do të shtojë me një të tretën rezervat e Kajros dhe do të kontribuojë në realizimin e planit energjitik kombëtar”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Naftës, Hamdi Abdul Aziz.

Nga sa sqaron vetë ENI, depozita nëntokësore shtrihet për 100 kilometra katrorë dhe mund të përmbajë deri ne 850 miliardë metër kub gaz.

Pusi ku u bë shpimi ndodhet në thellësine 1.450 metra nën det dhe në një distancë prej 190 kilometra nga bregu egjiptian. Lajmi u bë i ditur në vijimin e një vizite të drejtorit të kompanisë italiane në kryeqytetin egjiptian, ku u takua me presidentin e vendit dhe titullarë të tjerë.

ENI mendon se ky zbulim do të transformojë skenarët energjitikë për Egjiptin dhe synon që të marrë rolin e prodhuesit fillestar. Ajo radhitet ndër 11 kompanitë më të mëdha industriale të botës dhe ka zhvilluar aktivitete në Egjipt për dekada me radhë.

Top Channel