Vdekja e minatorëve, RISHM: Ishin duke punuar në mënyrë të paligjshme

31/08/2015 00:00

Reparti i Inspektimit- Shpëtimit të Minierave, RISHM, ka konstatuar se dy minatorët që humbën jetën një ditë më parë ishin duke punuar në mënyrë të paligjshme, mbi një objekt që kishte ndërprerë aktivitetin, punonin pa asnjë urdhër pune me shkrim nga drejtues teknik, të pa siguruar dhe të pa mbikqyrur nga specialist minerar.

Sipas informacionit paraprak të institucionit, nga verifikimi në vendngjarje aksidenti ka ndodhur në daljen sipërfaqësore të oxhakut të hapur para shumë kohësh nga nëntoka. Miftar dhe Albert Losha kanë qenë duke punuar për rrëzimin e mineralit në grykën e oxhakut, kur ka ndodhur shembja e një masivi guresh duke i dëmtur rëndë ata dhe për pasojë kanë humbur jetën rrugës për në spital.

Zotëruesi i lejes minerare “Hoxha SHPK”, ka deklaruar prej 3 vitesh e gjysmë ndërprerjen e aktivitetit, për shkak të mosmarrëveshjeve me ortakun e tij. Madje, sipas informacionit të RISHM, zotëruesi i lejes ka shfaqur vazhdimisht pretendime se ushtrohej aktivitet i paligjshëm dhe informal nga persona të paregjistruar nga ky subjekt.

RISHM bën të ditur se njëri pre minatorëve, Miftar Losha figuronte si i regjistruar deri në muajin qershor 2015 në zyrën e tatim taksave në emër të një subjekti që bën punime kufitare me atë të subjektit në fjalë, ku ndodhi aksidenti.

“Me përfundimin e plotë të inspektimit dhe verifikimin e të gjithë dokumentacioneve teknike, ligjore të të dyja shoqërive, Ministria e Energjisë dhe Industrisë do të marrë masat konkrete për rastin deri fillimin e procedurave për revokimin përfundimtar të lejeve minerare të këtyre subjekteve”, njofton RISHM.

Top Channel