Rama: Ballkani, treg të përbashkët rajonal

31/08/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama, duke i bërë një bilanc Samitit për Ballkanin të mbajtur në Austri, u tha gazetarëve se “në Vienë është shënuar një shtysë përpara në procesin e nisur në Berlin”.

Rama sqaroi se në këtë samit është propozuar nga Shqipëria ndërtimi i një Unioni Rajonal Ekonomik dhe ngritja e një banke rajonale.

“Janë pritur me interes të posaçëm dhe janë mbështetur fortë dy idetë tona, ajo për unionin ekonomik mes vendeve të rajonit, që do të thotë unifikimin e të gjitha procedurave për të pasur një lëvizje shumë më të lirëshme jo vetëm të njerëzve por dhe të mallrave në gjithë rajonin. Nga ana tjetër, ka marrë mbështetje edhe ideja për të filluar puna, në bashkëpunim me BERZH, për ngritjen e një banke rajonale për rindërtim dhe zhvillim”, deklaroi Rama.

Rama u shpreh i kënaqur edhe me çfarë është arritur në Viënë përsa i përket projekteve në infrastrukturë dhe energjitikë.

“Korridori i Kaltër, thënë ndryshe Autostrada Adriatiko-Joniane që do të lidhë unazën e Mesdheut, është vendosur si projekt prioritar, për të cilin fillon studimi i fizibilitetit dhe hartimi i projektit dhe pastaj financimi. Po ashtu kemi mbështetur projektin tjetër, që Serbia e ka pagëzuar me emrin Rruga e Paqes, për të sistemuar rrugën që ndërlidh Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë përmes aksit Nish-Prishtinë-Durrës. Për ne ka qenë një tjetër inkurajim i madh marrja e financimit për interkonjeksionin me Maqedoninë, që bashkë me atë për Kosovën do të forcojë kapacitetet e Shqipërisë për të pasur një rol të rëndësishëm në tregun e përbashkët energjitik”, theksoi Rama.

Ndërsa betejën me informalitetin Rama e cilësoi “operacionin më të rëndësishëm” të këtij mandati. “Strategjia është shumë e qartë, operacioni do të jetë shumë i thellë. Ai do të vendosë të mëdhenjtë brenda kornizës së tij. Jam i bindur se në këtë operacion, sa më shumë çdo qytetar të bëjë detyrën për të mirën e vetë, pra të mos japë paratë pa marrë kuponin, aq më shumë ne do mund të rrisim rrogat, ulim taksat dhe të rrisim investimet”, tha Rama.

Pavarësisht reagimit nga Greqia për shëmbjen e kishës në Dhërmi, shefi i qeverisë shqiptare edhe njëherë shprehu qëndrim të palëkundër për këtë çështje.

“Do rindërtojmë shëmbëlltyrën e kishës së vjetër dhe do ta bëjmë atë një hapësirë ku do të ekspozohet historia e jashtëzakonshme shqiptare, që ka marrë jetë mbi atë truall. Hapësira e ushtrimit të besimit për besimtarët ortodoksë është sovrane dhe asnjë shtet fqinj nuk ka të drejtë në të. Ortodoksët shqiptarë nuk janë grekë, por shqiptarë. Për ata që i përkasin komunitetit grek është garantuar njësoj si për shqiptarët që të ushtrojnë lirisht besimin e tyre”, shtoi Rama.

Top Channel