Përgatisni shtëpinë për vjeshtën

31/08/2015 00:00

Ajri më i freskët, ditët që shkurtohen, por mbi të gjitha një fillim i ri. Kjo është vjeshta. Kështu që edhe shtëpia duhet të jetë një pikënisje e mirë për ndryshimin. Nuk është e thënë të ndërroni të gjitha mobiljet, apo të impenjoheni me ndryshime të kushtueshme.

Në të vërtetë, për të përgatitur “folenë” tuaj për një stinë të re, është e nevojshme të ndërhysh vetëm në detaje. Perde të reja, një mbulesë e re, aksesorët e kuzhinës dhe një kënd relaksi. Për të mos tradhëtuar stilin tuaj, mjafton të ndiqni fantazinë dhe ndjesitë që provokon vjeshta me butësinë e saj.

Dritare me drita magjike
Një detaj që bën gjithmonë ndryshimin, janë pikërisht perdet. Kështu që, mos i lini pas dore. Nëse në verë tendenca është që t’i përshtasim për të patur një shtëpi më të freskët, në vjeshtë mund të tentoni për një efekt më të ngrohtë dhe mikëpritës. Do të ishin perfekt ngjyrat e nuancave që të japin atmosferën e kafeneve pariziene: tonet më të forta të jeshiles, ngjyra e tullës, dhe një e kuqe antike…

Një abazhur të ri
Në shtëpi është gjithmonë një dhomë e preferuar. Zakonisht bëhet fjalë për dhomën e gjumit apo të kuzhinës. Në vjeshtë, për një fillim të shndritshëm pse të mos zëvendësoni abazhurët e dhomës së preferuar me një të ri? Në treg mud të gjeni të të gjitha llojeve e formave dhe jo shumë të kushtueshme.

Një set për mëngjesin e ëndrrave
Mëngjesi është një moment nga i cili nuk duhet të heqim dorë, ose të paktën kështu duhet të jetë. Mes propozimeve të vjeshtës, mund të mendoni edhe t’i dedikoni më shumë kohë mëngjesit në familje. Të ulur, me qetësinë e nevojshme… dhe me një set të ri. Idetë janë të pafundme, si për shembull mbulesë të re ngrënieje me ngjyra, pjata dhe filxhanë të personalizuara, ose stili “vintage”, shishe të ngjyrosura për lëngun e frutave ose qumështin.

Mbulesa e krevatit
Vjeshta sjell me vete edhe ajrin e freskët, sidomos në mbrëmje. Duke i paraprirë jorganit të dimrit, mbulesa e krevatit bëhet zgjidhja ideale. Ndërrimin me një mbulesë të re me ndonjë aksesor më tepër do ta bëjë më të ëmbël stinën e re. Është e rëndësishme që ajo të jetë pëlhurë, e butë dhe me cilësi.

Top Channel