Ukrainë, votohet pro “autonomisë” së rajoneve separatiste. Mbi 100 të plagosur dhe një gardist i vrarë

31/08/2015 00:00

Parlamenti i Ukrainës ka votuar këtë të hënë në favor të ndryshimeve kushtetuese, të cilat u sigurojnë një status special rajoneve lindore të dominuara nga prorusët, por përçarjet në kampin properëndimor dhe protestat e dhunshme nëpër rrugë treguan se këto ndryshime do të përballen me një rrugë tepër të vështirë përpara sesa të kthehen në ligj.

Të paktën 4 policë dhe pjesëtarë të Gardës Kombëtare janë plagosur rëndë, kur shpërtheu një granatë e hedhur nga një tufë nacionalistësh, të cilët ishin duke demonstruar jashtë Parlamentit kundër projektligjit të “decentralizimit”, që Presidenti Petro Poroshenko dhe qeveria e tij kërkojnë ta shtyjnë përpara, si pjesë e një rrugëzgjidhjeje për t’i dhënë fund rebelimit të separatistëve në lindje.

Garda Kombëtare e Ukrainës ka bërë të ditur se të paktën 100 gardistë janë plagosur, prej të cilëve njëri prej 4 të plagosurve rëndë nga shpërthimi ka humbur jetën.

Ndërkohë, në një seancë tepër të “egërsuar”, duke qenë se shumë deputetë thërrisnin “turp” dhe kërcisnin në mënyrë të vazhdueshme tavolinat dhe karriget parlamentare, një total prej 265 deputetësh votuan pro në parim të projektligjit, 39 më shumë nga sa kërkohej për ta miratuar atë.

Por, shumë prej aleatëve të koalicionit, përfshi edhe ish-kryeministren Yulia Tymoshenko, folën kundër tij dhe kanë ngritur dyshime nëse Poroshenko do të jetë në gjendje për të siguruar 300 votat e nevojshme për të, në mënyrë që të kalojë në raundin e dytë dhe të fundit, më vonë nga fundi i vitit.

Miratimi i ligjit për dhënien e statusit special për rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut, të cilat kontrollohen në pjesën më të madhe nga separatistët e mbështetur nga Rusia, është një element kyç në marrëveshjen e paqes të arritur në Minsk të Bjellorusisë, gjatë shkurtit të këtij viti.

Top Channel