PD, Vokshi: Qeveria, neglizhencë vrastare kushteve në miniera

31/08/2015 00:00

Partia Demokratike ka shprehur tronditjen e saj nga vdekja në minierën e Selishtës të minatorëve Miftar dhe Albert Losha, duke i përcjellë përmes deputetes Albana Vokshi ngushëllimet më të ndjera familjeve të tyre.

Por, në deklaratën për mediat, Vokshi ka përfituar nga rasti që të denoncojë qeverinë për “neglizhencën vrastare” ndaj minierave dhe kushteve në to, që po marrin çdo javë jetë njerëzish.

“Që prej ardhjes së “Rilindjes”, 26 qytetarë, familjarë që ushqejnë fëmijët me sakrificën e tyre, kanë humbur jetën në galeritë e nëntokës. Ky është bilanci më tragjik i 25 viteve të fundit dhe kryeministri Edi Rama, ashtu si edhe në të gjitha rastet e tjera që prej ardhjes në pushtet, nuk gjen një minutë kohë as për ngushëllime”, ka thënë Vokshi.

Ajo ka kujtuar se, kur ishte në opozitë, Rama shfrytëzonte çdo ngjarje në minierë për të përfituar politikisht, duke premtuar siguri dhe kushte më të mira pune.

“Por ai mashtroi dhe braktisi premtimet dhe minatorët. Edhe sot, një ditë pas tragjedisë ku humbën jetën dy familjarë në minierën e Selishtës, edhe pse foli një orë para medias, nuk gjeti asnjë moment për të shprehur ngushëllimet”, ka thënë Vokshi.

Ajo është shprehur se, sot çdo shqiptar e sheh Edi Ramën si përgjegjës për humbjen e jetës së bashkqytetarëve në miniera, “për shkak të papërgjegjshmërisë, pandjeshmërisë dhe moskrijimit të kushteve të duhura të sigurisë”.

Top Channel