Kosovë, ministri i Arsimit kërkon profilizim të universiteteve

31/08/2015 00:00

Ministri i kosovar i Arsimit, Arsim Bajrami tha se reforma në sistemin e edukimit në Kosovë përfshin edhe profilizimin e universiteteve publike dhe private, si dhe specializimin e tyre. Sipas tij, qëllimi është krijimi i kuadrove profesionistë në fusha të caktuara, të cilët i mungojnë tregut të punës në Kosovë.

“Kosova nuk mundet t’i mbajë 7 universitete të paprofilizuara. Universiteti është një vend, ku prodhohen kuadro dhe kuadrot duhet të jenë të specializuar. Kemi filluar reformën si me universitetet private, edhe me kolegjet private. Në këtë mënyrë, nga 7 universitete do të krijojmë universitete të profilizuara”, tha Arsim Bajrami, ministër i Arsimit.

Kjo politikë institucionale ka gjetur përkrahjen e drejtuesve të arsimit të lartë privat, edhe për faktin se një nga kriteret kryesore të Agjencisë së Akreditimit të tyre është kërkimi shkencor. Ndërsa për studentët kosovarë, një diplomë në Shkenca Sociale konsiderohet arritje e madhe, pavarësisht nëse do ta sigurojë apo jo një vend pune nga ajo. Kjo duket të ketë krijuar probleme në tregun e punës, i cili në njërën anë ballafaqohet me kërkesë të madhe të të papunëve me diplomë, e në anën tjetër me mungesë të profesionistëve.

“Mendoj se, neve nuk na duhen kaq shumë universitete. Kosova ka nevojë për kolegje të shkencave natyrore. Neve na duhet një Universitet i Prishtinës me një numër prej rreth 10 mijë studentësh, por i madh edhe sa i përket numrit të stafit akademik, të cilët do të bartnin barrën e kërkimit, ndërsa ne të tjerët nuk duhet të bënim fare kërkim. Kosova nuk ka nevojë për 40 institucione, që supozohet se bëjnë kërkime, të cilat në fakt nuk bëjnë fare kërkime”, tha Alejtin Berisha, kryesues i Komitetit të Edukimit në Odën Amerikane Ekonomike.

Paralelisht me këtë, nga qeveria e Kosovës kërkohet të identifkojë sektorët strategjikë, ku pastaj do të mund të orientoheshin gjeneratat e reja.

“Shpeshherë e shohim qeverinë duke kërkuar investime të huaja. Të gjitha shtetet kërkojnë investime të huaja, por shtetet e tjera dalin para investitorëve potencialë me oferta në raport me arsimin. Kosova sot e ka problem, sepse për një investim të madh, secili investitor pyet nëse ka punëtorë të përgatitur, si dhe interesohen për cilësinë e tyre”, tha Fikret Haxholli, përfaqësues biznesi.

Në Agjencinë e Akreditimit të Kosovës listohen gjithsej 39 bartës të arsimit të lartë privat të akredituar dhe 8 universitete publike, përfshi edhe Akademinë për Siguri Publike dhe Fakultetin e Shkencave Islame. Ndërsa përveç disa kolegjeve, që studimet i kanë të orientuara nga degët e artit, me fokus dizajnin dhe modën, të gjitha programet e tjera të akredituara orientohen në ekonomi, biznes juridik dhe administratë publike.

Top Channel