Greqi, “negociatori i padukshëm” pritet të sheshojë frikërat gjatë fushatës

31/08/2015 00:00

Emërimi i ish-negociatorit të ndihmës greke, George Chouliarakis, në rolin e ministrit të Financave në qeverinë teknike mund të ndihmojë në lehtësimin e frikës se, programi i shpëtimit të Greqisë mund të dalë jashtë binarësh, teksa përgatiten zgjedhjet.

Greqia do të zhvillojë zgjedhje të parakohshme më 20 shtator, pasi kryeministri Alexis Tsipras dha dorëheqjen, me synimin për të fituar mbështetjen e nevojshme popullore ndaj vendimit për të pranuar ndihmën prej 86 miliardë eurosh nga huadhënësit ndërkombëtarë, si dhe për të spastruar rebelët e majtë që e kundërshtuan atë, kryesisht marksistë.

Por, duke qenë se inspektorët ndërkombëtarë të BE-së dhe FMN-së pritet të rishikojnë progresin e Greqisë në muajin tetor, pasja e një fushate të nxehtë zgjedhore mund të rrisë frikën se Athina mund të bëjë sërish hapa pas në objektivat, që duhet të përmbushë sipas planit të ndihmës.

Chouliarakis, i cili luajti një rol kyç në bisedimet e nivelit teknik me huadhënësit e BE-së dhe FMN-së, kërkoi të adresonte këto shqetësime kur mori detyrën si ministër i përkohshëm i Financave ditën e premte, teksa tha se objektivi i tij kryesor është “të sigurohemi që të mos humbasim më shumë kohë të vlefshme”.

Emërimi i tij mori menjëherë “votëbesimin” nga Jeroen Dijsselbloem, kreu i grupit të ministrave të Financave të Eurozonës, i cili vendos mbi disbursimin e ndihmës për Greqinë. “Chouliarakis e di mirë se çfarë po bën, sepse ka qenë njeriu kyç në ministrinë që drejton aktualisht dhe përkohësisht, prej një viti e gjysmë”, tha Dijsselbloem.

Chouliarakis ka studiuar në Britani, në Universitetin e Essex-it, përpara se të merrte postin e një lektori për integrimin ekonomik europian në Universitetin e Manchesterit.

Top Channel