Kosovë, nga e marta hyn në fuqi paketa e re fiskale

31/08/2015 00:00

Nga 1 shtatori, ose më saktë dita e nesërme, në Kosovë hyn në fuqi paketa e re fiskale, e cila përfshin ndryshime në tri ligje kryesore: ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, atë për Tatimin mbi të Ardhurat Personale, si dhe ligji për Tatimin mbi të Ardhurat e Koorporatave.

Administrata tatimore ka kërkuar nga tatimpaguesit, të bëjnë rregullimet e nevojshme para datës 1 shtator 2015 në programet e tyre, si dhe të vendosin normat e reja të TVSH-së në pajisjet elektronike fiskale.

Kështu, norma standarde e TVSH-së është 18 për qind, ndërsa norma e reduktuar është 8 për qind. Në këtë paketë fiskale, Qeveria ka ulur normën e TVSH-së për produktet bazë dhe shërbimet publike; përfshi ujin, energjinë elektrike dhe ngrohjen qendrore; nga 16% në 8 për qind, por ka rritur TVSH-në për të gjitha produktet e tjera, çfarë do të thotë se, përveç mundësisë së uljes së çmimeve në disa produkte, në shumë të tjera ato do të rriten.

Ndërkohë, Qeveria ka paralajmëruar se norma prej 8 për qind do të vlejë edhe për teknologjinë e informacionit, përfshirë këtu produkte të IT-së, si kompjutera dhe pajisje të tjera, duke e vlerësuar këtë si ndërhyrje strategjike.

Top Channel