Irak, arrestohet kreu që përgatiste kamikazët e ISIS për sulme

31/08/2015 00:00

Për më shumë se një vit, Abu Abdullah ka qenë një nga njerëzit më të kërkuar në Bagdad. Ai ishte i njohur nga autoritetet irakiane si “planifikuesi” më i zotë, që kishte Shteti Islamik për përgatitjen e kamikazëve.

Abdullah është përgjegjës për qindra sulme kamikaze, që kanë goditur xhami të ndryshme, shkolla, rrugë, dyqane apo banesa në Lindjen e Mesme. Këto bomba kanë marrë jetët e shumë njerëzve të pafajshëm, përfshirë këtu edhe fëmijë.

Ndaj krerët e kalifatit e mbanin të izoluar, si një nga profesionistët e tyre më të mirë, i cili mundësonte realizimin e këtyre akteve çnjerëzore. Por, policia e Bagdadit arriti ta kapte, duke e dënuar me burgim të përjetshëm.

Tashmë pas hekurave, Abdullah ka rrëfyer për britaniken “the Guardian” sesi ka përgatitur dhjetëra kamikazë përpara se ata të hidheshin në erë. “Fillimisht i prisja te dera e shtëpisë sime. I studioja me shikim të parë nëse ishin gati për ta marrë atë hap apo jo, më pas uleshim së bashku dhe luteshim me Kuran. U vendosja mirë bombën në rripin e pantallonave, ndërsa në fund i shoqëroja drejt vendit ku do të kryenin sulmin”, u shpreh Abdullah.

Ai rrëfen se, vetëm njëri prej tyre u pendua në momentin e fundit dhe u tërhoq, pasi përgjithësisht, kamikazët janë të stërvitur që të vegjël për misionin që do të kryejnë në jetë.

Kur u pyet nga reporteri i “the Guardian” për ISIS-in, si një nga anëtarët më të vjetër të tij që prej vitit 2004, Abu Abdullah, edhe pse tashmë pas hekurave, u shpreh: Shteti Islamik po përhapet, ai po vjen. Ajo që ISIS ka arritur gjithë këto kohë nuk mund të fshihet. Kalifati është një realitet, – mbylli fjalën e tij njeriu më i kërkuar i Bagdadit, i cili në fund tha se nuk është penduar për të kaluarën, sepse gjithçka ka bërë, ka qenë në përputhje me besimin e tij.

Top Channel