Kontrollet për gjobat, shefi i Qarkullimit: Ndalim administrativ deri në konfiskim

31/08/2015 00:00

Paralajmërimi i shtimit të kontrolleve për gjobat nga Rrugorët e Tiranës, ka bërë që shumë qytetarë t’u drejtohen sporteleve për të shlyer masat administrative të ndërmarra ndaj shkeljeve me automjetet e tyre.

Në një intervistë për Top News, shefi i Qarkullimit në kryeqytet, Ervin Dervishi bën me dije se, ndonëse ka pasur një reagim në këtë drejtim, ka edhe nga ata drejtues mjetesh, që neglizhojnë shlyerjen e detyrimeve.

“Ne u dhamë një mundësi qytetarëve disa ditë më parë, thjesht një rikujtesë. U bëmë me dije atyre që të shkonin në çdo pikë të informacionit policor, qoftë edhe nëpërmjet numrave 126-129 të sallave operative, për t’u informuar për masat apo gjobat që kanë marrë me mjetet e tyre. Kjo, për të mos u ndierë të papërgatitur ndaj masave të mëvonshme. Ekzistojnë ende drejtues mjetesh realisht, që në mënyrë të vullnetshme shmangin detyrimet e prapambetura, ashtu sikurse është për t’u falënderuar edhe pjesa më e madhe, që në mënyrë individuale dhe vullnetarisht për të shlyer detyrimet e gjobave. Fokusi ynë është kryesisht ndaj personave që kanë në historikun e tyre masa të shumta, të cilët nuk do t’i tolerojmë. Shpresojmë që me bërjen publike dhe këtë paralajmërim në avancë ndaj drejtuesve të mjeteve, pjesa më e madhe të na ketë dëgjuar dhe të reflektuar, për të mos na e lënë neve në dorë ndëshkimin”, tha shefi i Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Ervin Dervishi.

Shefi i Qarkullimit sqaron se, për mjetet që rezultojnë me gjoba, të cilave u ka kaluar afati 30-ditor i arkëtimit, do të bëhet ndalimi administrativ. Ndërkohë, për rastet kur mjeti nuk shlyen brenda 3 muajve detyrimet, duke mos u tërhequr nga pronari, do të nisin procedurat e konfiskimit.

“Kemi raste kur, edhe me një gjobë të vetme, mund të detyrojë drejtuesin e policisë aop agjentin rrugor ta shoqërojë automjetin në ambientet e ruajtjes, gjithçka në varësi edhe nga sjellja apo kundërveprimi i drejtuesit të mjetit. Kur kemi sjellje agresive, paligjshmërie të dukshme dhe që bie ndesh edhe me normat e sjelljes, padyshim që edhe ai që ka vetëm një masë administrative do të duhet shmangur nga rruga, si një drejtues i rrezikshëm dhe burim potencial aksidentesh. Pas tre muajsh, nëse drejtuesi i mjetit, përdorues apo pronar, nuk ka shlyer detyrimet, atëherë bëhet etapa e dytë e procesverbalit që shoqëron mjetin në pikat e rezervave të shtetit, duke bërë kështu konfiskimin e tij. Nga sekuestro kalon në konfiskim, e më pas në ankand me prokurim. Në këtë rast merret vlera e masave të pashlyera, detyrim për Policinë Rrugore, ndërsa pjesa tjetër i rikthehet drejtuesit të mjetit”, tha Ervin Dervishi.

Top Channel