U denoncua në “Komisariatin Dixhital”, parandalohet vjedhja e dyshuar

31/08/2015 00:00

Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar gjatë pasdites së të hënës nga forcat e policisë së Qarkut Fier, menjëherë pasi denoncimi ishte bërë përmes aplikacionit të lançuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, “Komisariati Dixhital”.

Policia e Fierit bën me dije se dyshohej për një vjedhje me armë dhe me maska, por që ka mbetur në tentativë, pasi është mundur të arrestohet në kohë autori, Arteo Muhaj, 25 vjeç, banues në Fier.

Veç arrestimit në flagrancë të shtetasit të dyshuar, janë sekuestruar gjithashtu edhe një pushkë automatike, dy karikatorë me 65 fishekë, si dhe dy maska.

Arrestimi, siç njofton përmes komunikatës Policia e Fierit, është bërë pasi më herët gjatë ditës së sotme, një qytetar anonim ka denoncuar përmes aplikacionit të Ministrisë së Brendshme për një person të dyshimtë, që lëvizte me një çantë dore në lagjet “8 Shkurti” të qytetit të Fierit.

Hetimet e mëtejshme për sqarimin e të gjithë ngjarjes do të zhvillohen në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Fierit.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel