Uragani “Fred” godet brigjet e Afrikës Perëndimore

31/08/2015 00:00

Stuhi me erëra që arrijnë deri në 140 kilometra në orë kanë goditur ishujt e Kepit të Gjelbër, pranë brigjeve të Afrikës Perëndimore.

Paralajmërimi për stuhi u lëshua më herët nga Qendra Kombëtare e Uraganeve me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (NHC), që parashikoi përmbytje në zonat bregdetare për shkak të shirave të dendur që do të bien në këto zona gjatë mbrëmjes së të hënës dhe të martën.

NHC thotë se stuhia e fundit në këto ishuj është regjistruar në vitin e largët 1892, edhe pse ka shtuar se këto të dhëna nuk janë shumë të sakta.

Uragani “Fred” parashikohet të dobësohet gradualisht pas ditës së martë, ndërsa nuk ekziston rreziku që stuhia të shkaktojë dëme edhe në shtete të tjera të Afrikës Perëndimore.

Kepi i Gjelbër përbëhet nga 10 ishuj të mëdhenj vullkanikë, 9 prej të cilëve janë të banuar.

Top Channel