ISIS, konfirmohet shkatërrimi i Belit në Palmira

01/09/2015 00:00

Imazhet satelitore konfirmojnë shkatërrimin e plotë të tempullit të Belit në qytetin e lashtë të Palmirës, pohuan zyrtarë të OKB-së. Raporte për një shpërthim të fuqishëm në strukturën antike pati që të hënën, por shkalla reale e dëmtimeve nuk njihej ende.

Tani, nuk ka më dyshime mbi rrënimin e tempullit 2000-vjeçar, çfarë e shtyu agjencinë botërore të kulturës UNESCO, ta cilësojë aktin e militantëve të ISIS-it një krim lufte.

Për Shtetin Islamik, që këtë zone të trashëgimisë kulturore e pushtoi në muajin maj, çdo artefakt pagan – siç i quajnë ata, – është një fyerje e interpretimit që ekstremistët i bëjnë Islamit, e për këtë arsye duhet të shkatërrohen.

Javën e kaluar, të njëjtin fat pati edhe tempulli më i vogël i Baalshaminit në Palmira, i cili ndodhej fare pranë Belit. Ndërtimi i këtij të fundit nisi në vitin 32 para erës sonë dhe përfundoi në shekullin e dytë. Më vonë, objekti do të shërbente edhe si kishë, edhe si xhami, e do të shihej nga historianët si tempulli më i rëndësishëm në Lindjen e Mesme, përkrah Baalbekut në Liban.

Palmira, apo qytetit i palmave, njohur ndryshe edhe si “perla e shkretëtirës”, shtrihet 210 km larg Damaskut. Përpara se të fillonte lufta civile në Siri, zonën arkeologjike e vizitonin më shumë se 150 mijë turistë çdo vit. Një sërë civilizimesh kanë lënë atje gjurmët e tyre dhe prekjet greko-romake e ato perse janë të dukshme në artin dhe arkitekturën e tij.

Megjithatë, ajo çfarë po ndodh në Siri është duke ndodhur edhe në rajonet  e Irakut, të kontrolluara nga ekstremistët. Atje, militantët kanë shtënë në duar zonat më të pasura sa i takon rrënojave mesopotamike, siç janë qytetet asiriane të Nimrudit dhe Khorsabadit, apo ai me gjurmë romake i Hatras.

Kanë shkatërruar skulptura, kanë hedhur në erë një pallat antik; Khorsabadin e kanë rrafshuar pjesërisht, thonë ekspertët. Gërmadhat e lashta 3000-vjeçare të Nimrudit, militantët i hodhën në tokë me buldozerë, e nëse dikush do të dëshirojë të shohë artefakte nga ky qytet, do të gjejë në “British Museum” 6 çifte statujash të luanëve e demave, të çuara atje në 1845-n nga arkeologu britanik, Austen Henry Layard.

Top Channel