Plagosen 5 palestinezë dhe një ushtar izraelit në Bregun Perëndimor

01/09/2015 00:00

Mediat izraelite kanë raportuar se 5 palestinezë dhe një ushtar kanë mbetur të plagosur në Bregun Perëndimor pas një aksioni të forcave izraelite për të arrestuar militantë islamikë.

Ushtria izraelite ka njoftuar se operacioni ka vazhduar për disa orë në Bregun Perëndimor, por nuk ka pranuar të japë detaje të tjera për sa i përket të plagosurve apo nëse ka viktima.

Mësohet se dy anëtarë të grupeve islamike janë arrestuar, ndërsa një udhëheqës i lartë i tyre ka arritur t’i largohet ushtrisë.

Banorë vendas kanë thënë se gjatë operacionit janë dëgjuar të shtëna me armë të rënda. Burime mjekësore kanë thënë se 5 palestinezët e plagosur janë qëlluar me plumba gome, por nuk ka pasur detaje të tjera. Ndërsa ushtari izraelit ka mbetur i plagosur rëndë. 

Trupat izraelite kanë ndërmarrë disa operacione gjatë kohëve të fundit në Bregun Perëndimor për arrestimin e personave që dyshohet se janë anëtarë të grupeve terroriste. Palestinezët e kanë dënuar këtë përpjekje të Izraelit.

Top Channel