Apeli i Veliajt: Ndërtues, ulni çmimet e apartamenteve!

01/09/2015 00:00

30 familje të cilat kanë plotësuar kriteret për të përfituar banesa sociale kanë marrë çelsat për të hyrë në shtëpitë e tyre në kompleksin e ndërtuar posaçërisht për to në Shkozë.

Do të jenë gjithsej 380 familje që do të përfitojnë banesa sociale, por kryetari i bashkisë, Erion Veliaj tha se kjo nuk mjafton për të zgjidhur çështjen e strehimit në Tiranë. Për këtë, ai deklaroi se do t’i kërkojë kompanive të ndërtimit të ulin çmimin e apartamenteve që u kanë mbetur pa shitur, ndërkohë që propozoi edhe mekanizmat që do t’i detyrojnë administratorët e tyre për këtë.

“Unë e di që kjo zgjidhje që japim sot për 30 familjet e para apo në total për 242 familjet që do të akomodohen këtu deri në fund të procesit, nuk mjafton. Nevojat për strehim në Tiranë janë më të mëdha. I kam bërë apel Shoqatës së Ndërtuesve që të ulë çmimet e apartamenteve të pashitura. I mbajnë apartamentet bosh dhe nuk e ulin çmimin. E di që shteti nuk ia cakton dot çmimet privatit pasi jetojmë në kapitalizëm, por shteti mund të bëjë këtë: taksën e pronës ta paguajnë edhe ndërtuesit e apartamenteve të pashitura. I bëj këtë apel ndërtuesve: nëse doni të mbani çmime stratosferike, atëherë mos kërkoni që të vazhdojnë të jepen leje ndërtimi në Tiranë”, tha Veliaj.

Ndër 30 familjet e para që morën çelsat për të hyrë në shtëpi, ishte edhe këngëtari i njohur Tonin Tërshana.

“Ju falenderoj shumë sepse kam 20 vite që jam pa shtëpi. Shumë faleminderit sepse më krijuat mundësinë që të jetoj si të tjerët”, tha këngëtari.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak do të dërgohet një tjetër listë me rreth 150 emrat e familjarëve që do të plotësojnë kriteret për të përfituar shtëpi nga banesat sociale.

Top Channel