PD: Si e rriti Rama çmimin e naftës

01/09/2015 00:00

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, paraqiti një grafik të thjeshtë për të treguar sesi ka ndryshuar çmimi i taksës së qarkullimit gjatë qeverisë “Rama” dhe që sipas opozitës, e ka bërë çmimin e naftës në Shqipëri më të shtrenjtin në rajon, edhe pse të ardhurat e shqiptarëve janë më të ultat.

Grafiku i opozitës tregon se taksa e qarkullimit është rritur dy herë në këto vjet, çka bën që shqiptarët të paguajnë 200 lekë më tepër për çdo litër nafte krahasuar me vitin e fundit të qeverisjes së demokratëve.

Disa orë më parë, kreu i opozitës akuzoi kryeministrin si person të pabesueshëm për luftën kundër informalitetit, sepse siç thotë Lulzim Basha, Edi Rama fshehu pasurinë e tij për vite me radhë duke deklaruar vetëm 3 mijë euro pasuri dhe duke u shpallur i pastrehë.

Kryetari i Partisë Demokratike thotë se Edi Rama është përfituesi më i madh nga informaliteti dhe për këtë arsye ai do të godasë ata që nuk kanë mbrojtje dhe do të vazhdojë të lejojë evazionin e klientelës së tij.

Lulzim Basha po i poston këto komente në Facebook, ndërkohë që po merr pjesë në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane, ku do të diskutohet kërkesa e Partisë Demokratike për t’u bërë anëtare me të drejta të plota.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, Lulzim Basha synon të marrë mbështetje nga grupimi politik europian, Parlamenti dhe Komisioni Europian për atë që e quan “aksion të përbashkët në ndaljen e përmbysjes që qeveria e Tiranës po u bën standardeve demokratike”.

Në fokus të diskutimeve me përfaqësues të insitucioneve europiane do të jenë cënimi nga qeveria i zgjedhjeve të lira e të ndershme, blerja e votës, moszbatimi i marrëveshjes për dekriminalizimin dhe kriza ekonomike, që sipas opozitës, është shkaku kryesor i azilkërkuesve nga Shqipëria.

Top Channel