Operacioni kundër informalitetit mbledh strukturat zbatuese

01/09/2015 00:00

Pasi kishte paralajmëruar nisjen e operacionit të madh kundër informalitetit në datën 1 shtator, kryeministri Rama mblodhi në një takim të posaçëm përfaqësues të ministrive dhe institucioneve që do të jenë pjesë e ketij operacioni.

Në atë që e cilësoi si detyrën më të vështirë në rrugën e shtetbërjes, ndërsa më pas ‘një luftë patriotike’, zoti Rama tha se janë angazhuar 600 grupe inspektimi që kulmojnë me një forum koordinues nën drejtimin e vetë kryeministrit dhe të gjashtë ministrave.

“Nuk ekzagjeroj asgjë nëse u them sot qytetarëve të vendit se kur refuzoni të paguani një mall apo shërbim pa e marrë kuponin tatimor, ju bëheni pjesë e një përpjekjeje patriotike sepse ju refuzoni hajdutërinë, që e pengon vendin tonë në rrugën e civilizimit të mëtejshëm”, tha Rama.

Kryeministri paralajmëroi edhe një herë të gjithë punonjësit e tatimeve e doganave që siç u shpreh ai, bashkëpunojnë në krimin e grabitjes së taksave dhe të ligjit.

“Siç sivëllezërit dhe simotrat tuaja që në kompaninë e shpërndarjes së energjisë bënin të njëjtën gjë dhe sot janë prapa hekurave, aty do të shkojnë edhe ata ndër ju që bëjnë atë që bënin ata. Le të hidhet kushdo përpjetë dhe të thotë që po e ekzagjeroni me këto hekurat”, u shpreh Rama.

Ministri i Financave dhe ai i Zhvillimit Ekonomik theksuan edhe një herë se kjo nuk është luftë kundër biznesit, por kundër paligjshmërisë.

“Suksesi i këtij operacioni, ose i kësaj reforme është në interes dhe dobi të çdo biznesi dhe çdo konsumatori. Me suksesin e kësaj reforme ne do të sigurojmë rritjen e pagave dhe uljen e taksave”, deklaroi ministri i Financave, Shkëlqim Cani.
 
“Kjo është betejë, ku ne shteti, qeveri, qytetari, tatimpaguesi dhe sipërmarrja bashkëpunojmë për të siguruar për fëmijët tanë një qytetërim të ri të Shqipërisë Europiane”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.

Top Channel