Durrës, fluks në tragete. 110 mijë udhëtarë në 2 javë

01/09/2015 00:00

Çmimet e larta të transportit ajror në këtë sezon kanë rritur ndjeshëm numrin e udhëtarëve në tragete. Rreth 110 mijë të tillë kanë kaluar nga porti detar i Durrësit gjatë 2 javëve të fundit.

Fluksi i lëvizjeve në këtë periudhë ka qenë në dalje, pasi zyrtarisht Autoriteti Portual Durrës bën të ditur se 95 përqind e udhëtarëve kanë lundruar nga Durrësi drejt porteve italiane. Shumica prej tyre janë bashkatdhetarë, që pasi kanë kaluar pushimet pranë familjeve rikthehen në vendet e Bashkimit Evropian ku punojnë dhe jetojnë.

Natën e kaluar, nga vendkalimi kufitar i Durrësit kanë dalë 5 986 pasagjerë dhe kanë hyrë 691 të tjerë.

Burime nga Autoriteti Portual bëjnë me dije se çdo ditë, nëpërmjet portit më të madh të vendit, kanë lëvizur mesatarisht 8 600 udhetarë me 1 900 autovetura. Tragetet kanë kryer 5-7 lundrime vajtje-ardhje në ditë në linjat detare që lidhin Durrësin me portet e Barit, Ankonës dhe Triestes në Itali.

Ndonëse mbarimi i muajit gusht e kthen fluksin e lëvizjeve me tragete në normalitet, rikthimi drejt Italisë pritet të vazhdojë edhe gjatë kësaj jave.

Top Channel