Mynih, mbërrijnë trenat e refugjatëve

01/09/2015 00:00

Me qindra emigrantë e përfunduan rrugëtimin e tyre në Mynih të Gjermanisë, ku trenat që i transportonin mbërritën mëngjesin e sotëm pasi Hungaria hoqi dorë nga përpjekjet për t’i regjistruar sipas rregullave të BE-së. Por 1.400 vetët që zbarkuan në këtë qytet nuk janë të vetëm; të tjerë pritet të shkojnë shumë shpejt nga Austria.

Me shpresën se në këtë mënyrë kriza do të vihet disi nën kontroll, policët hungarezë mbyllën stacionin kryesor të trenave në Budapest, Keleti, ku kishin qëndruar për dy ditë me radhë shumica e refugjatëve të nisur më pas drejt Vjenës për të kaluar në Gjermani. Emigrantët janë kryesisht sirianë, afganë dhe Eritreas. Vetëm të hënën, në kryeqytetin austriak mbërritën 3.650 persona dhe asnjëri prej tyre nuk kishte për qëllim të qëndronte: destinacioni i të gjithëve ishte Gjermania.

Sipas rregullores së Dublinit, azilkërkuesit duhet të regjistrohen në vendin e parë anëtar të Bashkimit Europian, ku kanë vënë këmbë. Por së fundi, me këtë protokoll është abuzuar gjerësisht, pasi pjesa dërrmuese e atyre që udhëtojnë drejt Hungarisë fillimisht zbarkojnë në Greqi, ku nuk kërkojnë azil. Berlini zyrtar e ka deklaruar me kohë se për sirianët që udhëtojnë drejt Gjermanisë, do t’i pezullojë rregullat e Dublinit.

Në konferencën e madhe vjetore për shtyp para gazetarëve të hënën, Angela Merkel apeloi për bashkëpunim më të thellë të bllokut mbi këtë çështje të ngutshme e në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, i kërkoi vendeve të tjera të pranojnë më shumë refugjatë. “Nëse Europa dështon në zgjidhjen e ngërçit të emigrantëve, atëherë nuk do të jetë Europa që të gjithë kemi dëshiruar”, u shpreh kancelarja gjermane.

Në mesin e një vërshimi të paprecendentë, azilkërkuesit nga Hungaria fqinje, Austria ka shtuar kontrollet mbi mjetet që kalojnë kufirin e saj. Rreziku që i kanoset emigrantëve u evidentua fare qartë nga vdekja e 71 vetëve, trupat e të cilëve u gjetën ditë më parë në një furgon të braktisur në një autostradë pranë Vjenës.

Top Channel